FOKUS – OKB: Kriza e banesave prek 3,4 miliardë njerëz; një miliard jetojnë në lagje të varfra
MUSKAT, 6 tetor /ATSH-AA/ – Kriza globale e strehimit është vendosur në qendër të vëmendjes së Kombeve të Bashkuara, me përfaqësues të qeverive, shoqërisë civile dhe botës akademike që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme përballë një situate që prek rreth 3.4 miliardë njerëz në mbarë botën.
Në takimin e zhvilluar në Muskat të Omanit, në kuadër të Ditës Botërore të Habitatit, drejtuesit e OKB-së theksuan se ”strehimi i përshtatshëm nuk duhet të konsiderohet luks, por një e drejtë themelore dhe kusht për një jetë dinjitoze”.
“Një strehim i përshtatshëm nuk është luks. Ai është themeli i një jete dinjitoze dhe i qyteteve të qëndrueshme”, deklaroi drejtoresha ekzekutive e UN-Habitat, Anacláudia Rossbach.
Ajo kërkoi që strehimi të trajtohet si prioritet publik, në të njëjtin nivel me tokën dhe shërbimet bazë, duke bërë thirrje për bashkëpunim më të madh mes autoriteteve publike, sektorit privat dhe shoqërisë civile.
Në mesazhin e tij drejtuar pjesëmarrësve, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, tha se strehimi i përshtatshëm për të gjithë është “themeli i dinjitetit, sigurisë dhe mundësive për çdo individ”.
Sipas tij, më shumë se 3 miliardë njerëz në botë vazhdojnë të jenë të privuar nga kjo e drejtë universale. Mbi 1 miliard persona jetojnë në vendbanime informale dhe lagje të varfra, ndërsa shumë të tjerë janë të pastrehë ose janë zhvendosur për shkak të konflikteve, fatkeqësive natyrore dhe ndryshimeve klimatike.
Edhe presidenti i Asamblesë së UN-Habitat dhe ministri malajzian i Strehimit dhe Qeverisjes Lokale, Nga Kor Ming, paralajmëroi për kushtet e vështira në të cilat jetojnë shumë familje, pa ujë të pijshëm dhe shërbime sanitare bazë. Ai theksoi se fëmijët në këto komunitete përballen edhe me sëmundje të parandalueshme.
“Një shtëpi pa ujë të pijshëm, pa siguri dhe pa garanci ligjore nuk është një shtëpi. Është një kurth që i mban njerëzit në varfëri”, u shpreh ai.
Sipas kuadrit të OKB-së për të drejtat e njeriut, një banesë konsiderohet e përshtatshme kur plotëson shtatë kritere, ndër të cilat shërbimet bazë, banueshmëria, përballueshmëria ekonomike, vendndodhja dhe aksesueshmëria.
Guterres bëri thirrje për rritjen e investimeve në banesa dinjitoze dhe transformimin e vendbanimeve informale, me synim uljen e varfërisë dhe pabarazisë, forcimin e rezistencës ndaj ndryshimeve klimatike dhe ndërtimin e shoqërive më paqësore e gjithëpërfshirëse.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.