Bota

Kreu i grupit xhihadist në Mali, para gjykatës në Hagë për krime ndaj trashëgimisë

Shkatërrimi i monumenteve të lashta në Mali po trajtohet si krim lufte në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, ku në bankën e të akuzuarve është ulur lideri xhihadist Ahmad al-Faqi al-Mahdi. Në vitin 2012, grupi militant islamik Ansar Dine ktheu në gërmadha ndërtesa historike e objekte kulti në Timbuktunë e shpallur nga UNESCO-ja si zonë të trashëgimisë botërore.

Udhëheqësi i grupit përgjegjës për dëmet e pakthyeshme u deklarua fajtor për akuzat e ngritura ndaj tij. “Me keqardhje mund të them i nderuar gjykatës se gjithë çfarë dëgjova deri tani janë të sakta dhe një pasqyrim i saktë i atyre sa kanë ndodhur në terren”, tha ai në sallën e gjyqit.

Kjo është hera e parë që Gjykata Ndërkombëtare e Hagës përfshihet në një rast të tillë, pasi deri më sot proceset e saj janë përqendruar në situatat kur viktimat e krimeve ishin njerëz. Për zëdhënësen Oriane Maillet, gjykimi i Al-Mahdit është i paprecedent në disa aspekte. Ai është i pari që shqyrton ngjarje të ndodhura në Mali, është e para herë që një i pandehur njofton paraprakisht qëllimin për t’u shpallur fajtor dhe është po kështu e para herë, thotë ajo, që shkatërrimi i monumenteve antike klasifikohet si krim lufte.

Prokurorët presin që gjyqi të jetë i shkurtër e vendimi të merret pas një jave, gjithmonë nëse i akuzuari nuk ndryshon mendim e zgjedh ta tërheqë rrëfimin e tij. Nuk ka ende ndonjë të dhënë mbi dënimin e mundshëm, por Al-Mahdi me shumë gjasë do të dërgohet prapa hekurave për disa vjet.

Grupet e të drejtave të njeriut kërkojnë vëmendje ndaj këtij rasti e argumentojnë se dëshmitë në sallë janë të një rëndësie kyçe, pasi tregojnë sesi shkatërrimi i trashëgimisë kulturore nuk dëmton vetëm ndërtesat, por cënon rëndë edhe ndjenjën sociale, kulturore e historike të komuniteteve.

Islamikët i shohin vendet e kultit si objekte idhujtarie dhe në Timbuktu, grupi radikal i drejtuar nga Al-Mahdi shkatërroi përpara 4 vjetësh plot 14 nga 16 mauzoletë e zonës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button