Kronika

Krijohet Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje

Institucionalizohet platforma elektronike “Me ty, për Shqipërinë që duam”, që garanton bashkëqeverisje e gjithëpërfshirje në politikëbërje dhe vendimmarrje të qytetarëve.

Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për “Krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje”. Kjo Agjenci ka si mision ofrimin direkt të shërbimeve publike, për të garantuar bashkëqeverisje e gjithëpërfshirje në politikëbërje dhe vendimmarrje, nëpërmjet ndërveprimit në platformën elektronike “Me ty, për Shqipërinë që duam” të qytetarëve, organizatave jofitimprurëse e sipërmarrjes private me administratën shtetërore dhe institucionet qeverisëse, si dhe mbështetjen e projekteve e të programeve për një shoqëri të hapur dhe për institucione më pranë qytetarëve, shoqërisë civile, rinisë dhe aktorëve të tjerë, në fusha të ndryshme si inovacioni, krijimtaria, transparenca, arsimi, rinia, shkenca, arti, kultura, grupet vulnerabël.

Agjencia siguron përgjegjshmërinë e institucioneve të administratës publike gjatë ndërveprimit me qytetarët, në platformën elektronike “Me ty, për Shqipërinë që duam”, duke garantuar që në bashkëpunim me ministritë e linjës dhe institucionet e varësisë, për të gjitha mesazhet, nismat, ankesat apo kërkesat e dërguara, qytetarët të marrin një trajtim e përgjigje në cilësinë dhe kohën e duhur.

Po ashtu, ajo trajton, në bashkëpunim me ministritë e linjës dhe institucionet e varësisë, nismat me interes publik, të ardhura nga qytetarët, apo iniciativa të tilla nga organizatat jofitimprurëse dhe/ose sipërmarrja, të cilat kërkojnë mbështetje. Agjencia trajton, në bashkëpunim me ministritë e linjës dhe institucionet e varësisë, propozimet dhe idetë për projekte e reforma të qeverisë.

Ndër detyrat e tjera të agjencisë janë edhe trajtimi dhe organizimi i kërkesave për interpelancë drejtuar Kryeministrit, Zëvendëskryeministrit, ministrave specifikë apo një grupi prej tyre;
trajtimi dhe analizimi i vlerësimeve të qytetarëve për cilësinë e shërbimit të ofruar nga administrata publike; trajtimi dhe koordinimi, në bashkëpunim me ministritë dhe institucionet e varësisë, i iniciativave të qytetarëve në fushën e arsimit, lidhur me projekte në dobi të shkollave publike; trajtimi dhe koordinimi, në bashkëpunim me ministritë dhe institucionet e varësisë, të denoncimeve për sjelljet abuzive apo korruptive, të ardhura nga qytetarët dhe sipërmarrja.

Po ashtu, Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje bashkëpunon me ministritë e linjës, institucionet e varësisë, shoqërinë civile, institucionet ndërkombëtare, në mbështetjen dhe promovimin e projekteve, aktiviteteve, nismave, bashkëpunimeve për një shoqëri të institucioneve të hapura dhe të dialogut të gjerë. Agjencia bashkëpunon po ashtu me ministritë e linjës, institucionet e varësisë, shoqërinë civile, institucionet ndërkombëtare të shkencës, arsimit, artit, kulturës, në mbështetje dhe për promovimin e një imazhi të ri për vendin tonë e rajonin, si simbole të bashkëjetesës paqësore dhe udhërrëfyes në ndërtimin e saj.

Agjencia zbaton e kontribuon në strategjitë dhe politikat e qeverisë në mbështetje të studiuesve, artistëve, rinisë, qendrave të ekselencës, të hulumtimit dhe komunikimit; zbaton strategjitë qeveritare për krijimin e mjeteve dhe kontribuon për mbështetjen e nismave inovative të dialogut, bashkëpunimit e të bashkëjetesës në rajonin tonë; zhvillon bashkëpunime dypalëshe dhe shumëpalëshe me sektorin publik e privat, vendas dhe të huaj, në shërbim të misionit të përcaktuar në vendim; kontribuon në krijimin e kushteve për bashkëpunimin e intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet politikëbërësve dhe akademikëve, ekspertëve të shquar ndërkombëtarë, personaliteteve në fusha të ndryshme.

Ndër të tjera, Agjencia kontribuon në zhvillimin e politikave, të legjislacionit, strategjive për inovacionin, krijimtarinë, transparencën, arsimin, rininë, shkencën, artin, kulturën, grupet vulnerable, për institucione më pranë qytetarëve dhe shoqërisë civile; propozon e inicion nisma dhe menaxhon qendra në përmbushje të misionit të saj, brenda dhe jashtë vendit, mbështetur në legjislacionin shqiptar ose në bazë të marrëveshjeve dy ose shumëpalëshe; realizon dhe financon projekte inovative të studentëve, studiuesve, artistëve, kuratorëve, gazetarëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile, për sigurimin e mjeteve e të mundësive për ndikimin e politikave publike dhe krijimin e një dialogu të gjerë, që siguron institucione të hapura, transparente e më pranë qytetarëve.

Sipas vendimit të qeverisë, buxheti për vitin 2017, projektet në zbatim, dokumentacioni dhe pajisjet e Agjencisë së Menaxhimit të Qendrave për Hapje dhe Dialog (AMQDH), krijuar me vendimin nr.814, datë 7.10.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Menaxhimit të Qendrave për Hapje dhe Dialog (AMQHD)”, i transferohen Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje.

Nëpunësit ekzistues të strukturës aktuale të Agjencisë së Menaxhimit të Qendrave për Hapje dhe Dialog (AMQHD), transferohen pranë Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje. Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje është një institucion juridik, publik, në varësi të Kryeministrit. Agjencia ka selinë në Tiranë dhe ka vulën e stemën e saj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button