Kriza në Gjermani, Steinmeier u bën thirrje partive për kompromis
Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier u bëri thirrje partive politike që të rishikojnë pozicionet e tyre dhe të gjejnë kompromise për të formuar një qeveri. Ai i bëri komentet disa orë pas dështimit të bisedimeve për krijimin e koalicionit, gjë që e ka zhytur Gjermaninë në krizë.
Kriza erdhi për shkak të largimit të kreut të partisë pro-biznesit, FDP, nga bisedimet për formimin e qeverisë. Christian Lindner tha se nuk ekzistonte baza e besimit për të të krijuar një qeveri me aleancën konservatore CDU-CSU dhe me Partinë e Gjelbër.
Të katër partitë e përfshira nuk bien dakord rreth politikave të imigracionit dhe të energjisë, si dhe mbi integrimin e mëtejshëm të Bashkimit Evropian.
“Ndërtimi i një qeverie ka qenë gjithmonë një proces i vështirë kompromisesh, por mandati për të formuar një qeveri është ndoshta mandati më i lartë që votuesit i japin një partie në një demokraci dhe ky mandat mbetet”, tha zoti Steinmeier.
Ai tha se “Ky është momenti kur të gjithë pjesëmarrësit duhet të rishikojnë qëndrimin e tyre.”
Presidenti i Gjermanisë ka të drejtën për të thirrur zgjedhje të parakohshme, por zoti Steinmeier e bëri të qartë se kjo nuk ishte alternativa e tij e preferuar.
“Unë pres që të gjitha palët të jenë në dispozicion për bisedime për të ndërtuar një qeveri në të ardhmen e parashikueshme”, tha ai.
Mbetet e paqartë nëse Kancelarja Angela Merkel do të përpiqet të drejtojë një qeveri të pakicës, duke shmangur zgjedhjet e parakohshme, apo do të rekomandojë zhvillimin e këtyre zgjedhjeve në fillim të vitit të ardhshëm.
“Kjo është të paktën një ditë reflektimi të thellë se si do ecim përpara, por unë do të bëj gjithshka mundem si Kancelare kalimtare që ky vend të udhëhiqet si duhet në këto javë të vështira”, tha zonja Merkel.
Prej javësh zonja Merkel po përpiqej të krijonte një koalicion të ndërlikuar midis partisë së saj Bashkimi Kristian Demokrat (CDU), partisë simotër bavareze Bashkimi Kristian Social (CSU), Partisë së Lirë Demokrate (FDP) dhe Partisë së Gjelbër pas zgjedhjeve të përgjithshme në fund të shtatorit.
“Rezulton se katër partnerët e koalicionit nuk kanë qëndrime të përbashkëta për modernizimin e vendit dhe, mbi të gjitha, ishte e pamundur të krijohej një bazë e besimit të ndërsjellë”, tha kreu i FDP, Lindner.
Zonja Merkel, udhëheqësja më jetëgjatë në Evropë, po përballet me kritika nga brenda rreth qëndrimeve të mbajtura prej saj në procesin e bisedimeve.
Çështja e migracionit nuk arriti të gjente zgjidhje në këto bisedime. Për shkak se kjo është një çështje mjaft polemizuese si dhe duke patur përballë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, partitë CDU, CSU dhe FDP kanë dalë me propozime kush e kush më të forta për kontrollin e imigracionit.