Kroacia investon gati një miliard euro në inteligjencën artificiale
Kroacia planifikon të investojë 932 milionë euro deri në vitin 2032 në zhvillimin e inteligjencës artificiale (AI), përfshirë krijimin e një modeli të madh gjuhësor për gjuhën kroate dhe një asistenti me inteligjencë artificiale në sistemin e-qytetarët.
Kjo parashihet në Planin Kombëtar për Zhvillimin e Inteligjencës Artificiale, të cilin të premten e prezantoi ministri kroat i Drejtësisë, Administratës dhe Transformimit Digjital, Damir Habijan.
Investimet e përgjithshme deri në vitin 2032 vlerësohen në 932.1 milionë euro, ndërsa për planin e parë të veprimit, i cili përfshin periudhën deri në vitin 2028, janë paraparë 382.1 milionë euro.
Plani i parë përfshin 33 masa, ndërsa pjesa më e madhe e mjeteve do të dedikohet për kërkime shkencore, inovacion dhe zhvillimin e ekonomisë.
Habijani vlerësoi se Kroacia ka njohuritë, infrastrukturën digjitale dhe zbatimet e para të suksesshme të inteligjencës artificiale, por ende nuk po e shfrytëzon plotësisht potencialin e saj.
Për zhvillimin e infrastrukturës kompjuterike dhe të të dhënave janë ndarë 139 milionë euro në kuadër të planit të parë të veprimit. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet zhvillimit të teknologjive në gjuhën kroate, përfshirë krijimin e një modeli të madh gjuhësor që do të përshtatet me nevojat e qytetarëve dhe ekonomisë së vendit.
Inteligjenca artificiale pritet të përdoret edhe në shërbimet publike. Një nga projektet kryesore është asistenti në sistemin e-qytetarët, i cili synon t’ua lehtësojë qytetarëve qasjen në informacione dhe shërbime administrative.
Përdorimi i kësaj teknologjie parashihet edhe për të mbështetur punën e zyrtarëve të sistemit të drejtësisë. Megjithatë, autoritetet theksojnë se inteligjenca artificiale duhet të shërbejë si mjet ndihmës dhe jo si zëvendësim i njeriut në marrjen e vendimeve.
Plani parasheh gjithashtu që deri në vitin 2028 të trajnohen 7 mijë qytetarë për njohuritë bazë të inteligjencës artificiale, 10 mijë mësimdhënës dhe 5 mijë nëpunës shtetërorë.
Strategjia mbështetet në katër objektiva kryesore: zhvillimin e aftësive dhe kompetencave njerëzore, përmirësimin e infrastrukturës dhe qasjes në të dhëna, zbatimin etik dhe ligjor të inteligjencës artificiale, si dhe nxitjen e kërkimeve, inovacionit dhe përdorimit të saj në ekonomi.
Në hartimin e planit kanë marrë pjesë 133 anëtarë të grupit profesional të punës nga 55 institucione, ndërsa janë mbajtur më shumë se 80 takime.
Konsultimet publike për planin kombëtar dhe atë të veprimit do të zgjasin 30 ditë. Ministri Habijan u ka bërë thirrje qytetarëve, institucioneve dhe bizneseve që të paraqesin propozimet dhe vërejtjet e tyre.
Ndërkohë, në korrik, qeveria kroate kishte siguruar 39 milionë euro grante nga Plani Kombëtar për Rimëkëmbje dhe Qëndrueshmëri për krijimin e fabrikës së parë kroate të inteligjencës artificiale, si dhe 10 milionë euro për pjesëmarrjen në një fabrikë të ardhshme evropiane të kësaj teknologjie. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.