SHBA – FMN: Krizat e kostos së jetesës mund të shkaktojnë përkeqësim afatgjatë të përballueshmërisë
UASHINGTON, 6 tetor /ATSH-AFP/ – Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) paralajmëroi sot se rritja e çmimeve të produkteve bazë, veçanërisht ushqimeve dhe energjisë, mund të ketë pasoja shumë më të gjata sesa një valë e përkohshme inflacioni.
Sipas FMN-së, çmimet e mallrave të domosdoshme vazhdojnë të rriten për më shumë se një vit pas fillimit të një goditjeje tipike ekonomike dhe mbeten të larta për një periudhë të gjatë.
Kjo do të thotë se familjet nuk përballen vetëm me një rritje të përkohshme të faturave, por me një përkeqësim të qëndrueshëm të aftësisë për të përballuar shpenzimet bazë.
Pandemia e COVID-19 shkaktoi fillimisht probleme të mëdha në zinxhirët e furnizimit, ndërsa lufta në Ukrainë dhe konflikti në Iran kanë ushtruar presion të mëtejshëm mbi ushqimet, energjinë dhe plehrat bujqësore.
Këto goditje kanë mbajtur çmimet e shumë produkteve bazë në nivele të larta për disa vite.
FMN thekson se inflacioni nuk zhduket menjëherë pasi goditja fillestare kalon.
Pritshmëritë inflacioniste mund të mbeten mbi nivelet para krizës për vite, duke e bërë më të vështirë punën e bankave qendrore për rikthimin e stabilitetit të çmimeve.
Për të frenuar inflacionin, bankat qendrore kanë rritur normat e interesit.
Kjo mund të ndihmojë në uljen e presioneve të çmimeve, por në të njëjtën kohë ngadalëson ekonominë, investimet dhe konsumin.
Problemi është veçanërisht i madh për vendet në zhvillim, të cilat kanë më pak hapësirë financiare për të përballuar një ngadalësim ekonomik.
Pasojat sociale janë gjithashtu të rëndësishme.
Familjet me të ardhura të ulëta preken më shumë sepse një pjesë më e madhe e buxhetit të tyre shkon për ushqime, energji dhe nevoja të tjera të domosdoshme.
Për këtë arsye, FMN paralajmëron se goditjet e tilla mund të rrisin varfërinë dhe pabarazinë e të ardhurave.
FMN rekomandon që qeveritë të shmangin subvencionet e përgjithshme dhe afatgjata, të cilat janë të kushtueshme për buxhetet.
Në vend të tyre, fondi sugjeron ndihma të përkohshme dhe të targetuara për familjet më të goditura.
Megjithatë, borxhi i lartë publik dhe goditjet e përsëritura që nga pandemia kanë kufizuar mundësinë e shumë vendeve të varfra dhe në zhvillim për të ndërhyrë. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.