Kryenin vjedhje në Pogradec dhe Korçë, arrestohen dy të rinj! Në kërkim bashkëpunëtori i tyre
Dy persona janë vënë në pranga nga policia e Pogradecit. Arrestimi i tyre ka ardhur pasi ata kishin kryer vjedhje në 5 biznese të ndryshme dhe të disa sendeve në një automjet në Pogradec dhe Korçë. Të arrestuari janë identifikuar Ronaldo Mehmeti dhe Romeo Memetali.
Gjithashtu është shpallur në kërkim edhe bashkëpunëtori i tyre. Gjatë kontrollit të banesave të tyre shtetasve, u gjetën dhe u sekuestruan sendet e vjedhura, së bashku me një shumë parash dhe një automjet me të cilin ata lëviznin.
“Pogradec/Finalizohet operacioni policor “Qarku”. Kryenin vjedhje në biznese të ndryshme në Pogradec dhe Korçë, si dhe në automjete, identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 autorët e dyshuar. Shpallet në kërkim bashkëpunëtori. Sekuestrohen sendet e dyshuara të vjedhura.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve, identifikimin dhe kapjen e autorëve, organizuan punën, koordinuan veprimet dhe, në kuadër të operacionit policor të koduar “Qarku”, bënë të mundur zbardhjen e 6 vjedhjeve.
Në kuadër të operacionit, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit R. M., 26 vjeç, banues në fshatin Drenovë, dhe R. M., 26 vjeç, banues në Korçë.
Gjatë kontrollit të banesave të këtyre shtetasve, u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sendet e vjedhura, së bashku me një shumë parash dhe një automjet me të cilin këta shtetas lëviznin.
Gjithashtu, u identifikua bashkëpunëtori i tyre, shtetasi E. Ll., banues në Kamëz, i cili u shpall në kërkim. Vijon puna për kapjen e tij.
Gjatë hetimeve rezultoi se këta shtetas dyshohet se janë autorë të vjedhjeve në 5 biznese dhe të disa sendeve në një automjet, vjedhje këto të ndodhura në Pogradec dhe Korçë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin ligjor edhe të disa vjedhjeve të tjera, që dyshohet se janë kryer nga këta shtetas
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprën penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim më shumë se një herë”, njofton policia.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.