TRHERAN – Irani ashpërson retorikën ndaj Merz: 100 miliardë euro nuk krahasohen me kundërpërgjigjen tonë
TEHERAN, 31 tetor /ATSH-AFP/ – Irani ka reaguar me kërcënime ndaj kancelarit gjerman Friedrich Merz, pasi ky i fundit deklaroi se lufta me Iranin u ka kushtuar bizneseve dhe konsumatorëve evropianë më shumë se 100 miliardë euro për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se kjo shumë nuk është asgjë krahasuar me goditjen e rëndë që forcat e armatosura iraniane mund t’u shkaktojnë atyre që, sipas tij, guxojnë të kërcënojnë popullin iranian.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, Araghchi iu referua deklaratave të mëparshme të Merz lidhur me sulmet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit.
Në një mesazh të publikuar sot në platformën X, Araghchi shkroi se kur nisën bombardimet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit, Merz i kishte mirëpritur ato, duke i cilësuar si një mënyrë për të “bërë punën e pistë të Evropës”.
“100 miliardë euro nuk janë asgjë krahasuar me goditjen shkatërruese që forcat e fuqishme të armatosura të Iranit do t’u japin atyre që guxojnë të dëmtojnë popullin tonë. Vijat e kuqe i përkasin së kaluarës”, shkroi ministri iranian.
Me këtë deklaratë, Araghchi paralajmëroi se Teherani nuk do t’u përmbahet më kufijve të mëparshëm në rast të një sulmi të ri ndaj vendit.
Merz: Lufta nuk mund të zgjidhet me mjete ushtarake
Reagimi iranian erdhi pasi kancelari gjerman Friedrich Merz, gjatë vizitës së tij dje në Korenë e Jugut, deklaroi se konflikti me Iranin nuk mund të zgjidhet përmes forcës ushtarake dhe bëri thirrje për një zgjidhje diplomatike.
Merz tha se Gjermania dhe partnerët e saj po punojnë përmes kanaleve të ndryshme për të koordinuar dhe intensifikuar përpjekjet diplomatike, me synimin për t’i dhënë fund konfliktit sa më shpejt.
Ai theksoi se pasojat ekonomike të luftës janë ndier në të gjithë Evropën, veçanërisht për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë.
Sipas kancelarit gjerman, vetëm shtrenjtimi i energjisë u ka kushtuar bizneseve dhe konsumatorëve evropianë më shumë se 100 miliardë euro gjatë tetë muajve të fundit.
“Për këtë arsye, ne kemi edhe një interes të drejtpërdrejtë ekonomik që ky konflikt të përfundojë sa më shpejt”, deklaroi Merz.
Ai shtoi se thirrja për zgjidhje diplomatike vlen për të gjitha palët e përfshira në konflikt, përfshirë edhe Izraelin.
Tensionet dhe pasojat në tregjet e energjisë
Konflikti mes Iranit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit ka shkaktuar tronditje në tregjet ndërkombëtare të energjisë, veçanërisht për shkak të tensioneve në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin e naftës dhe gazit në botë.
Ndërprerjet dhe kufizimet në transportin detar përmes kësaj ngushtice, kanë ndikuar në rritjen e çmimeve të energjisë, duke shtuar kostot për konsumatorët dhe bizneset në Evropë.
Deklaratat e Araghchi vijnë në një kohë kur janë shtuar diskutimet për mundësinë e rifillimit të sulmeve amerikane ndaj Iranit.
Sipas raportimeve të medieve amerikane, presidenti Donald Trump është informuar për mundësitë e reja ushtarake kundër Teheranit.
Ndërkohë, Merz ka kërkuar që palët të shmangin një përshkallëzim të mëtejshëm dhe të angazhohen në negociata për t’i dhënë fund konfliktit. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.