“Kujdes, janë virus!”- Mashtrim në Facebook, video me Inteligjencë Artificiale me figurën e mjekut Flamur Topi, AMA para
Një sërë videosh të manipuluara me inteligjencë artificiale që reklamojnë në Facebook produkte farmaceutive për prostatën me zërin dhe imazhin e mjekut Flamur Topi, kanë nxitur Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA) të bëjë sot një paralajmërim për qytetarët duke i këshilluar të kenë kujdes sepse bëhet fjalë për një skemë mashtrimi që synon marrjen e të dhënave bankare.
Siç bëri të ditur kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, institucioni është njoftuar nga familjarët e mjekut për video të manipuluara, të krijuara duke përdorur fragmente nga emisioni i tij “Trupi dhe shëndeti”, i transmetuar në RTSH.
Sipas denoncimit, persona të paidentifikuar kanë përdorur inteligjencën artificiale për të manipuluar zërin e mjekut dhe për ta bërë të duket sikur po rekomandon produkte të caktuara farmaceutike. Pas verifikimit të rastit, AMA paralajmëron se këto materiale shfrytëzojnë besimin e publikut, veçanërisht të personave të moshuar, dhe mund të shpërndahen edhe përmes reklamave të sponsorizuara në rrjetet sociale.
AMA u bën thirrje qytetarëve të verifikojnë videot dhe reklamat që premtojnë shërimin e sëmundjeve, edhe kur në to shfaqen figura të njohura, të mos blejnë produkte shëndetësore pa u këshilluar me mjekun, të mos japin të dhëna personale apo bankare në faqe të dyshimta dhe të raportojnë videot apo reklamat e manipuluara në platformat ku publikohen.
“Jo çdo video që duket reale është e vërtetë” është mesazhi përmbyllës i AMA-s.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.