Kultivonin 705 bimë kanabisi në Britani, dënohen me burg dy shqiptarë, gjykatësi kërkon deportimin e tyre
Aldo Gjeta u dënua me 2 vite e 3 muaj burg, ndërsa Emanuel Bushi me 18 muaj, pasi u kapën duke kultivuar 705 bimë kanabisi në një ambient industrial në Northallerton, me vlerë rreth 302 mijë paund.
Dy shqiptarë janë dënuar me burg në Britaninë e Madhe, pasi u zbuluan duke kultivuar 705 bimë kanabisi në një ambient industrial në Northallerton, siç njofton Shqiptarja.com. Vlera e bimëve në treg llogaritet në rreth 302 mijë paund.
Bëhet fjalë për Aldo Gjetën, 27 vjeç, dhe Emanuel Bushin, 28 vjeç, të cilët u arrestuan më 23 shtator, pas një operacioni policor në ambientin ku ishte ngritur ferma e kanabisit. Gjatë ndërhyrjes, të dy tentuan të largoheshin, por u ndaluan nga policia dhe më pas pranuan akuzën për prodhim kanabisi në shkallë tregtare.
Gjykata dënoi Aldo Gjetën me 2 vite e 3 muaj burg, ndërsa Emanuel Bushin me 18 muaj burg. Për Gjetën, dënimi ishte më i rëndë për shkak të precedentit të mëparshëm: në prill të vitit 2025, ai ishte dënuar me 14 muaj burg për kultivim kanabisi.
Gjatë procesit, mbrojtja pretendoi se të dy ishin përfshirë në aktivitetin kriminal për shkak të borxheve dhe kërcënimeve nga organizata kriminale. Sipas avokatit të Bushit, ai dhe familja e tij në Shqipëri ishin kërcënuar, ndërsa 28-vjeçari kishte një borxh prej 22 mijë paundësh ndaj personave që e kishin ndihmuar të emigronte në Britani.
Gjykatësi Sean Morris e cilësoi aktivitetin si prodhim komercial kanabisi, në përmasa industriale, dhe shprehu habinë që Gjeta nuk ishte deportuar pas dënimit të mëparshëm. Në përfundim të seancës, ai rekomandoi që të dy shqiptarët, pas përfundimit të dënimit në burgun e Hull, të merren nga autoritetet britanike dhe të nisin procedurat për deportimin e tyre.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.