🌧️
Tiranë 12°C · Shi i lehtë 27 Nëntor 2026
S&P 500 7,297 ▲1.6%
DOW 50,775 ▲1.18%
NASDAQ 24,130 ▲2.31%
NAFTA 83.08 ▼0.72%
ARI 3,669 ▲2.91%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.0973 EUR/GBP 0.8373 EUR/CHF 0.9154 EUR/ALL 89.8437 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6570 EUR/TRY 55.6777 EUR/JPY 174.75 EUR/CAD 1.5625 EUR/USD 1.0973 EUR/GBP 0.8373 EUR/CHF 0.9154 EUR/ALL 89.8437 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6570 EUR/TRY 55.6777 EUR/JPY 174.75 EUR/CAD 1.5625
₿ CRYPTO
BTC $59,815 ▼ -1.57% ETH $1,667 ▼ -2.2% XRP $0.9504 ▼ -0.21% SOL $72.0100 ▲ +0.95%
S&P 500 7,297 ▲1.6 % DOW 50,775 ▲1.18 % NASDAQ 24,130 ▲2.31 % NAFTA 83.08 ▼0.72 % ARI 3,669 ▲2.91 % S&P 500 7,297 ▲1.6 % DOW 50,775 ▲1.18 % NASDAQ 24,130 ▲2.31 % NAFTA 83.08 ▼0.72 % ARI 3,669 ▲2.91 %
EUR/USD 1.0973 EUR/GBP 0.8373 EUR/CHF 0.9154 EUR/ALL 89.8437 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6570 EUR/TRY 55.6777 EUR/JPY 174.75 EUR/CAD 1.5625 EUR/USD 1.0973 EUR/GBP 0.8373 EUR/CHF 0.9154 EUR/ALL 89.8437 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6570 EUR/TRY 55.6777 EUR/JPY 174.75 EUR/CAD 1.5625
27 Nën 2026
Breaking
Investigim

Reformat që paraprijnë betejën elektorale

Gjashtë muaj para zgjedhjeve vendore të majit 2027, palët politike mbeten pa një marrëveshje për rregullat e garës. Demokratët kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese ligjin për ndarjen e re administrativo-territoriale, ndërsa Komisioni i Reformës Zgjedhore rrezikon të përfundojë mandatin pa dakordësi për vijimin e punës.

Reforma zgjedhore po përballet me një ngërç të ri politik, vetëm gjashtë muaj përpara zgjedhjeve vendore të majit 2027. Partia Socialiste dhe ajo Demokratike vijojnë të jenë larg një marrëveshjeje për ndryshimet që duhet të përcaktojnë rregullat e garës, ndërsa përplasja mes tyre është zgjeruar edhe në Gjykatën Kushtetuese, ku opozita ka kundërshtuar ligjin për ndarjen e re administrativo-territoriale të vendit.

Me vetëm katër ditë të mbetura nga përfundimi i mandatit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, më 30 nëntor, dy forcat kryesore politike nuk kanë gjetur dakordësinë as për zgjatjen e afatit të punimeve. Në tryezën e diskutimeve mbeten çështje që lidhen me shpërndarjen e mandateve, pragun zgjedhor, koalicionet parazgjedhore dhe financimin e partive politike, por edhe pasojat që mund të sjellë riorganizimi territorial në zgjedhjet e ardhshme.

Të enjten, më 26 nëntor, ndërsa ekspertët e Komisionit të Venecias zhvillonin takime në Kuvend për projektligjin mbi financimin e partive politike, ODIHR-i kërkonte ende sqarime mbi objektin dhe afatet e asistencës së kërkuar nga dy bashkëkryetarët e komisionit parlamentar.

Në të njëjtën ditë, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike njoftoi se opozita i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar pezullimin dhe shfuqizimin e ligjit për ndarjen e re administrativo-territoriale, të miratuar më 9 tetor 2026 vetëm me votat e mazhorancës.

Demokratët kundërshtojnë ligjin me argumentin e mungesës së konsultimit me komunitetet lokale dhe ngrenë pretendime për antikushtetutshmërinë e tij. Por shqetësimi i opozitës lidhet edhe me ndikimin që ndarja e re mund të ketë në organizimin e zgjedhjeve vendore të vitit 2027.

Çështja territoriale është kthyer kështu në një tjetër pikë përplasjeje në procesin e reformës zgjedhore. Ndryshimet në organizimin administrativo-territorial të vendit dhe përcaktimi i rregullave të konkurrencës politike janë dy procese që ndërthuren drejtpërdrejt, pasi ndikojnë në mënyrën se si do të organizohet përfaqësimi politik në nivel vendor.

Përballë mungesës së konsensusit, mazhoranca ka paralajmëruar mundësinë e miratimit të ndryshimeve zgjedhore në mënyrë të njëanshme, duke iu referuar detyrimeve që burojnë nga procesi i integrimit evropian. Një qasje që bie ndesh me kërkesën e Komisionit Evropian për një proces gjithëpërfshirës, të mbështetur në dialogun mes palëve politike.

Historikisht, reforma zgjedhore ka qenë një nga çështjet e pakta ku PS-ja dhe PD-ja kanë arritur marrëveshje, edhe në periudha të tensionuara politike. Sipas ekspertëve, këto dakordësi kanë qenë kryesisht rezultat i një llogaritjeje pragmatiste të interesave elektorale të dy palëve.

Por këtë herë, me afatet që po skadojnë, paqartësitë mbi rregullat e garës dhe konfliktin e ri për reformën territoriale, mundësitë për një marrëveshje mbeten të pasigurta. Nëse interesat elektorale do të mjaftojnë për të rikthyer palët në tryezën e kompromisit, apo nëse reforma do të përfundojë sërish në një proces të njëanshëm, pritet të përcaktojë jo vetëm të ardhmen e ndryshimeve ligjore, por edhe klimën politike në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027.

Nga harta territoriale te kalkulimet elektorale

Credits: LSA – Protesta e qytetarëve kundër reformës territoriale

As 51 ditë protesta të banorëve të Divjakës, as kundërshtimet e qytetarëve të Memaliajt, të cilët udhëtuan rreth 180 kilometra për të protestuar përpara Parlamentit, dhe as zërat kundër brenda vetë radhëve të socialistëve nuk arritën ta ndalnin reformën administrativo-territoriale.

Pas nëntë muajsh punë, Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale e përfundoi mandatin pa një draft të përbashkët mes mazhorancës dhe opozitës. Reforma e miratuar parashikoi reduktimin e numrit të bashkive me afro 25%, nga 61 në 46, duke prekur drejtpërdrejt të paktën 225 mijë qytetarë.

Por ndryshimi i kufijve administrativë nuk përfaqëson thjesht një rivizatim të hartës së vendit. Ai sjell pasoja edhe për mënyrën e përfaqësimit politik në nivel vendor, duke e zhvendosur një pjesë të konfliktit mes socialistëve dhe demokratëve nga tryeza e reformës territoriale në atë të reformës zgjedhore.

Ky dimension elektoral u bë i dukshëm që gjatë diskutimeve për hartën e re të bashkive. Valmir Visha, pedagog i shkencave politike, argumentonte se ndërhyrja në ndarjen territoriale vetëm pak muaj përpara zgjedhjeve vendore reflektonte edhe kalkulimet elektorale të dy forcave kryesore politike.

“Nuk e shohin reformën se çfarë përfitojnë ose çfarë humbasin qytetarët, por bëjnë kalkulime elektorale”, shprehej Visha për Shteg.org.

Ndërsa mazhoranca avanconte me ndryshimin e hartës territoriale, në tryezën e reformës zgjedhore mungonin përparimet e pritshme. Më 15 korrik, dy bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, i kërkuan Kuvendit zgjatjen e mandatit të komisionit, me argumentin se puna për hartimin e ndryshimeve ligjore dhe adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it nuk kishte përfunduar.

Kërkesa u miratua një ditë më vonë, më 16 korrik, kur Kuvendi votoi me 78 vota pro zgjatjen e mandatit deri më 30 nëntor, duke ia lënë sesionit parlamentar të vjeshtës përfundimin e reformës.

Diskutimet mes palëve rifilluan më 9 nëntor, një muaj pas miratimit të ndarjes së re territoriale. Këtë herë, në qendër të tryezës ishte përshtatja e formulës së përfaqësimit në këshillat bashkiakë me organizimin e ri të njësive vendore.

Sipas hartës së re, qytetet që humbasin statusin e bashkisë nuk do të zgjedhin më një kryetar bashkie dhe një këshill bashkiak që përfaqëson vetëm komunitetin e tyre. Kjo do të thotë se mënyra se si do të garantohen interesat dhe përfaqësimi i këtyre komuniteteve brenda bashkive të reja bëhet një prej çështjeve që kërkojnë zgjidhje në kuadër të reformës zgjedhore.

Por edhe kjo çështje u kthye në objekt mosmarrëveshjesh. Bashkëkryetari socialist, Damian Gjiknuri, argumentonte nevojën urgjente për përshtatjen e Kodit Zgjedhor me ndarjen e re territoriale, ndërsa homologu i tij demokrat, Oerd Bylykbashi, kundërshtonte trajtimin me përparësi të ndryshimeve që buronin nga një reformë e miratuar pa konsensusin e opozitës.

Vetëm dy ditë më vonë, më 11 nëntor, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, paralajmëroi se mazhoranca nuk do të mbështeste një tjetër zgjatje të mandatit të komisionit dhe se, në mungesë të bashkëpunimit me opozitën, ishte e gatshme të miratonte reformën në mënyrë të njëanshme.

“84 vota i kemi dhe do ta miratojmë në mënyrë të njëanshme. Nuk na mban dot peng askush”, deklaroi Balla.

Për pedagogun Valmir Visha, një skenar i tillë do të vinte në pikëpyetje legjitimitetin e ndryshimeve dhe do të rrezikonte ta kthente reformën në një zgjidhje afatshkurtër.

“Miratimi i reformës në mënyrë të njëanshme do të sillte mungesën e legjitimitetit dhe pas një kohe të shkurtër do të sillte nevojën për një reformë të re”, thotë pedagogu për Shteg.org.

Integrimi evropian, mes detyrimit dhe alibisë politike

Credits: LSA – Kryeministri Edi Rama dhe Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos

Përshpejtimin e reformës zgjedhore, ashtu si më herët të asaj territoriale, mazhoranca e ka lidhur edhe me procesin e integrimit evropian. Por, ndërsa socialistët kanë lënë të hapur mundësinë e miratimit të ndryshimeve pa opozitën, kërkesat e institucioneve evropiane e vendosin theksin te gjithëpërfshirja dhe konsensusi.

Në progresraportin e vitit 2026, Komisioni Evropian e cilëson urgjente ndërmarrjen e një reforme të gjerë zgjedhore përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Përtej rekomandimeve ende të paadresuara të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, raporti evidenton edhe mungesën e gjithëpërfshirjes në përbërjen e vetë komisionit parlamentar.

“Ky komision garanton përfaqësim të barabartë të partisë në pushtet dhe partisë kryesore opozitare, por nuk përfshin asnjë prej partive të tjera opozitare, çka është për të ardhur keq”, thuhet në raportin e Komisionit Europian.

Kështu, debati mbi konsensusin nuk kufizohet vetëm te marrëveshja mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Qëndrimi i Brukselit ngre një çështje më të gjerë: sa përfaqësues dhe gjithëpërfshirës është një proces reformimi që mbështetet kryesisht te dy partitë e mëdha, duke lënë jashtë tryezës forcat e tjera opozitare?

Për Vishën, përdorimi i integrimit evropian si argument për të justifikuar miratimin e njëanshëm të ndryshimeve nuk është një praktikë e re në politikën shqiptare. Megjithatë, ai është skeptik se mazhoranca do të zgjedhë ta çojë deri në fund këtë skenar.

“Unë nuk besoj se reforma zgjedhore do të miratohet në mënyrë të njëanshme. Fakti që qeveria ‘kërcënon’ me miratimin në mënyrë të njëanshme dhe përdor integrimin europian, kjo është një metodë që tashmë njihet, por vështirë që këtë radhë të gjejë zbatim”, argumenton Visha.

Përdorimi i integrimit evropian për të legjitimuar ndërhyrjet në sistemin zgjedhor ishte një shqetësim i ngritur që në muajt e parë të diskutimeve për reformën. Përtej detyrimeve që lidhen me standardet evropiane, debati prek edhe mënyrën se si partitë politike i interpretojnë rekomandimet ndërkombëtare për të justifikuar ndryshimet që u shërbejnë interesave të tyre.

Pedagogu i shkencave politike, Blendi Çeka, argumentonte se rekomandimet e institucioneve evropiane lidhen kryesisht me standardet dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe jo domosdoshmërisht me ndryshimin e vetë sistemit elektoral.

“Përgjithësisht, instancat e Bashkimit Europian kanë të bëjnë me procesin, me transparencën e procesit, si bëhet fushata, por jo me elementë të sistemit zgjedhor. Kryesisht është përdorur kjo si argument për të justifikuar ndryshimet në sistemet zgjedhore me justifikimin se ka presion ndërkombëtar. Kjo përdoret si alibi nga partitë kryesore që të prekin rregullat e lojës çdo palë zgjedhje”, theksonte Çeka për Shteg.org në maj të këtij viti.

Një tjetër këndvështrim sjell eksperti i çështjeve zgjedhore, Afrim Krasniqi, i cili e zhvendos vëmendjen nga motivet politike të ndryshimeve te standardet që duhet të garantojë vetë procesi zgjedhor. Sipas tij, legjitimiteti i institucioneve demokratike buron pikërisht nga zgjedhjet e lira, të ndershme dhe të barabarta.

“Kusht i vetëm janë zgjedhjet e lira, të ndershme dhe të barabarta. Nga zgjedhjet burojnë parlamenti, qeveria, legjitimiteti demokratik dhe fuqia vendimmarrëse, ndaj nëse burimi nuk është i saktë, legjitim dhe i pranueshëm, të gjitha produktet e tij bëhen defektoze, kontestohen dhe shndërrohen në burim krizash periodike, bojkot dhe protesta, si dhe abuzim me mandatet dhe qeverisjen”, shprehej Krasniqi.

Shqetësimet mbi barazinë e konkurrencës elektorale pasqyrohen edhe në progresraportin e Komisionit Evropian. Duke iu referuar gjetjeve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, raporti vëren se, megjithëse administrimi i procesit zgjedhor ishte profesional, gara u zhvillua në një klimë të theksuar polarizimi politik dhe në kushte të pabarabarta për subjektet zgjedhore.

Kështu, përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027, sfida e reformës nuk lidhet vetëm me përshtatjen e Kodit Zgjedhor me hartën e re territoriale apo me adresimin e rekomandimeve ndërkombëtare. Ajo lidhet edhe me garantimin e një gare ku rregullat të mos përcaktohen sipas interesave të momentit të partive politike, por të sigurojnë përfaqësim dhe konkurrencë të barabartë.

Kush i vendos rregullat e lojës?

Credits: LSA – Takimi i ekspertëve të Komisionit të Venecias

Teksa të enjten, më 26 nëntor, ekspertët e Komisionit të Venecias zhvillonin takime në Kuvend për projektligjin mbi financimin e partive politike, në sallën plenare socialistët dhe demokratët përplaseshin sërish mbi afatin e përfundimit të reformës zgjedhore.

Kërkesa e bashkëkryetarit demokrat të komisionit, Oerd Bylykbashi, për zgjatjen e mandatit u kundërshtua nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

“Pas datës 30, ju s’keni të drejtë të merrni peng axhendën europiane, axhendën e shqiptarëve”, deklaroi Balla, duke akuzuar opozitën për bojkotimin e punimeve të komisionit.

Përplasja e tanishme është në kontrast me historikun e bashkëpunimit mes dy partive kryesore pikërisht për ndryshimin e rregullave zgjedhore. Edhe në periudha të thella krizash politike, PS-ja dhe PD-ja kanë arritur të gjejnë kompromis kur në tryezë janë vendosur mekanizmat që përcaktojnë konkurrencën për pushtet.

Një nga shembujt më domethënës mbetet viti 2008, kur ndryshimet kushtetuese të dakordësuara mes dy partive sollën kalimin nga sistemi miks në atë proporcional rajonal. Marrëveshja u kundërshtua asokohe nga partitë e vogla, përfaqësuesit e të cilave zhvilluan protesta dhe grevë urie, me argumentin se sistemi i ri do të konsolidonte dominimin e dy forcave të mëdha dhe do të vështirësonte përfaqësimin parlamentar të subjekteve të tjera politike.

Që prej miratimit të Kodit Zgjedhor në vitin 2008, ai ka pësuar rreth 12 ndryshime, duke e kthyer ndërhyrjen e përsëritur në rregullat e garës në një tipar të politikës zgjedhore shqiptare.

Sipas pedagogut të shkencave politike, Blendi Çeka, këto ndryshime reflektojnë interesat elektorale të vetë partive që hartojnë rregullat e konkurrencës dhe përfitojnë prej tyre.

“Ato vendosin rregullat, ato kanë benefite prej tyre. Nuk them që sistemi është i paprekshëm, por nga ana tjetër ndryshimi në çdo palë zgjedhjesh është një tregues goxha i dobët për sa u përket standardeve demokratike”, thotë ai.

Shqetësimet për kufizimin e konkurrencës politike u rikthyen edhe në maj të këtij viti, kur në tryezën e reformës zgjedhore u diskutua propozimi për rritjen e pragut zgjedhor në 4%. Përfaqësuesit e forcave të reja politike e kundërshtuan këtë ide, duke e konsideruar një tjetër përpjekje për të vështirësuar hyrjen e subjekteve të reja në parlament.

“Ne kemi një qëndrim të qartë: sistemi aktual është i keq, por shqetësimi ynë është se PS dhe PD po përpiqen ta bëjnë edhe më të mbyllur dhe më të kontrolluar. Dhe kjo nuk është çështje vetëm e ‘Partisë Mundësia’, por e çdo force të re politike që mund të lindë nesër”, deklaronte kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, për Shteg.org.

Gjashtë muaj më vonë, ky shqetësim mbetet aktual. Ndërsa debati publik dhe negociatat parlamentare përqendrohen te mundësia e një marrëveshjeje mes socialistëve dhe demokratëve, partitë e tjera vijojnë të mos kenë përfaqësim në komisionin ku diskutohen rregullat e konkurrencës politike.

Për ekspertët, kompromiset historike mes dy partive të mëdha nuk kanë qenë domosdoshmërisht rezultat i një vullneti për zgjerimin e përfaqësimit demokratik, por më shumë i një llogaritjeje pragmatiste të interesave të tyre elektorale.

Në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027, kur dy reforma paralele po ripërcaktojnë njëkohësisht kufijtë e pushtetit vendor dhe rregullat përmes të cilave ai fitohet, dilema mbetet nëse një kompromis i ri mes PS-së dhe PD-së do të garantojë konkurrencë më të drejtë dhe përfaqësim më të gjerë politik, apo do të shërbejë sërish për ruajtjen e ekuilibrave të pushtetit mes dy forcave kryesore.

Shënim: “Ky publikim është mundësuar me mbështetjen financiare të AMSHC-së. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e autorit, opinioni i shprehur në të nuk është domosdoshmërisht opinion i AMSHC-së.”

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.