Kuq e zi në shkolla dhe rrugë, 28 Nëntori festohet në Haraçinë dhe Saraj
Në kuadër të Ditës së Flamurit, shkollat organizuan aktivitete festive me nxënës të veshur me veshje tradicionale, ndërsa rrugët e Haraçinës dhe të Sarajit u zbukuruan me flamuj kuqezi; ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski paralajmëroi ndëshkime për çdo shkelje dhe provokim gjatë festimeve.
Në kuadër të shënimit të Ditës së Flamurit, shkollat organizuan aktivitete të ndryshme festive, siç njofton Alsat. Nxënësit, të veshur me veshje tradicionale kombëtare dhe me flamuj kombëtarë, përcollën atmosferën festive dhe shprehën krenarinë për historinë dhe traditat kombëtare.
Atmosferë festive pati edhe në Komunën e Haraçinës, ku rrugët janë zbukuruar me flamuj, duke i dhënë komunës një pamje festive dhe duke sjellë frymën e 28 Nëntorit.
Festës iu bashkua edhe Saraji. Përveç flamujve kuqezi të vendosur nëpër rrugët e komunës, vëmendje kanë tërhequr edhe fëmijët, të cilët kanë dalë për të festuar, duke krijuar një atmosferë të veçantë festive.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se policia është aty për t’u krijuar kushte atyre që festojnë pa shënuar shkelje, ndërsa paralajmëroi ndëshkime për të gjithë shkelësit. “Mund të ketë provokime me qëllim të cenimit të rendit dhe qetësisë publike, por ne jemi të përgatitur dhe do t’u përgjigjemi në mënyrë adekuate të gjitha sfidave. Të gjithë ata që do të kryejnë kundërvajtje do të ndëshkohen për veprimet e tyre, ndërsa të gjithë atyre që do ta festojnë këtë ditë ashtu siç i ka hije, do t’u krijojmë kushtet e nevojshme që të festojnë siç duhet”, deklaroi Toshkovski.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.