🌤️
Tiranë 34°C · Kryesisht kthjellët 12 July 2026
S&P 500 7,575 ▲0.42%
DOW 52,637 ▲0.29%
NASDAQ 26,282 ▲0.29%
NAFTA 71.41 ▼0.93%
ARI 4,114 ▼0.65%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1422 EUR/GBP 0.8521 EUR/CHF 0.9227 EUR/ALL 93.9692 EUR/MKD 61.6220 EUR/RSD 117.3762 EUR/TRY 53.6692 EUR/JPY 184.83 EUR/CAD 1.6165 EUR/USD 1.1422 EUR/GBP 0.8521 EUR/CHF 0.9227 EUR/ALL 93.9692 EUR/MKD 61.6220 EUR/RSD 117.3762 EUR/TRY 53.6692 EUR/JPY 184.83 EUR/CAD 1.6165
₿ CRYPTO
BTC $63,860 ▼ -0.44% ETH $1,799 ▲ +0.13% XRP $1.0942 ▼ -1.2% SOL $76.7200 ▼ -1.58%
S&P 500 7,575 ▲0.42 % DOW 52,637 ▲0.29 % NASDAQ 26,282 ▲0.29 % NAFTA 71.41 ▼0.93 % ARI 4,114 ▼0.65 % S&P 500 7,575 ▲0.42 % DOW 52,637 ▲0.29 % NASDAQ 26,282 ▲0.29 % NAFTA 71.41 ▼0.93 % ARI 4,114 ▼0.65 %
EUR/USD 1.1422 EUR/GBP 0.8521 EUR/CHF 0.9227 EUR/ALL 93.9692 EUR/MKD 61.6220 EUR/RSD 117.3762 EUR/TRY 53.6692 EUR/JPY 184.83 EUR/CAD 1.6165 EUR/USD 1.1422 EUR/GBP 0.8521 EUR/CHF 0.9227 EUR/ALL 93.9692 EUR/MKD 61.6220 EUR/RSD 117.3762 EUR/TRY 53.6692 EUR/JPY 184.83 EUR/CAD 1.6165
12 Jul 2026
Breaking
Opinion

Kur opozita lufton edhe suksesin e vendit

Nga Altin Ketro

Kjo më sjell ndërmend një anekdotë për dy shqiptarë të varfër, që qanin hallin e mjerimit të tyre të pafund. I dëgjon Zoti dhe i thërret, duke u thënë të kërkonin çfarë të donin, sepse Ai do t’ua plotësonte dëshirën. Shqiptari i parë bën një listë të gjatë dëshirash, që konsistonin në rritjen e mirëqenies së tij dhe të pasardhësve për breza. Kur i erdhi radha të dytit për të shprehur dëshirën e vet, ai kishte vetëm një kërkesë: Zoti të mos plotësonte asnjë nga kërkesat e tjetrit.

Nuk është e vështirë të kuptohet morali i kësaj anekdote. M’u kujtua kjo, por edhe ajo thënia e Konicës, teksa përfaqësuesit e Partisë Demokratike votuan kundër dhe refuzuan të miratonin deklaratën e përbashkët me Parlamentin Evropian në mbledhjen e Komitetit të Stabilizim-Asociimit në Strasburg.

Në fakt, Partia Demokratike nuk është, në parim, kundër anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Problemi i saj nuk është procesi i anëtarësimit, por që merita e këtij procesi të mos i njihet mazhorancës dhe qeverisë socialiste. Por, në këtë kontekst, është shumë e vështirë t’ia shpjegosh një evropiani të formuar në një kulturë demokratike se refuzimi është thjesht shprehje e një nihilizmi politik, ku interesi i vendit vihet në plan të dytë, vetëm e vetëm që meritën të mos e marrë kundërshtari. Ai europarlamentar e kupton kur një forcë politike është qartësisht pro Bashkimit Evropian. Madje, e kupton edhe kur është euroskeptike apo kur mbron orientime të tjera gjeopolitike

Ama, të jesh proevropian, por me kusht që meritën të mos e marrë qeveria e radhës, për një europarlamentar është një gjuhë e pakuptueshme, thuajse alienësh. Sepse europarlamentari perëndimor, kur ia shtron kështu argumentin, bën edhe ai llogaritë e veta: “Po mirë, po ia plotësojmë dëshirën PD-së duke pritur ardhjen e saj në pushtet. Po kush na garanton se edhe opozita e nesërme nuk do të ketë po të njëjtat kërkesa si opozita e sotme?” Pikërisht sepse europarlamentari e di se çfarë janë Kalendat Greke, nuk e merr shumë seriozisht pozicionimin e kësaj opozite, të përfaqësuar nga PD-ja, dhe voton pro Shqipërisë.

Është e habitshme pse PD-ja nuk e konsideron fat edhe për veten përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Sepse një ditë ajo mund të vijë në pushtet dhe ta gjejë këtë proces të përfunduar. Ashtu si futja e Shqipërisë në NATO apo liberalizimi i vizave me BE-në nuk i garantuan PD-së pushtet të përjetshëm, edhe anëtarësimi në BE nuk ka për t’i garantuar PS-së pushtet të përjetshëm.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike po tregohet dritëshkurtër, duke krijuar përshtypjen e gabuar, si në Shqipëri ashtu edhe te partnerët tanë në vendet e Bashkimit Evropian, se ajo është kundër anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ky proces vërtet i ra për hise Partisë Socialiste, por në vetvete procesi ka kërkuar dhe vazhdon të kërkojë reforma të thella e, herë pas here, edhe të dhimbshme, të cilat prekin shumë shtresa të shoqërisë sonë. Këto reforma shpesh nuk kuptohen nga të gjithë qytetarët, të cilët, në fund, fajësojnë qeverinë.

Pra, të gjitha dhimbjet e lindjes i ka dhe do t’i mbajë mbi kurriz qeveria “Rama”. Me shpresën se fruti, në vitin 2030, do të jetë i ëmbël, kjo duhet t’i vlejë edhe PD-së, sepse nesër mund të hajë gështenjat e pjekura që sot po i nxjerr me duart e veta nga prushi një parti tjetër.

Ndoshta këtu qëndron ende aktualiteti i asaj thënieje që i atribuohet Konicës. Jo sepse Shqipëria nuk bëhet me shqiptarët, por sepse shpesh shqiptarët e opozitës e shohin suksesin e vendit përmes interesit të partisë dhe jo interesin e partisë përmes suksesit të vendit. Derisa të mos mësojmë ta ndajmë fitoren e Shqipërisë nga fitorja e partive politike, do të vazhdojmë të sillemi si personazhi i asaj anekdote: më të shqetësuar që tjetri të mos fitojë, sesa që të fitojmë të gjithë.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.