Kur shpërdorohet autoriteti akademik
Nga Prof. Asoc. Dr. Pëllumb Karameta
Në tetor 2026, një grup pedagogësh universitetesh kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kujdestare. Kërkesa u paraqit në një peticion që dënonte edhe dhunën ndaj studentëve.
Sipas Faktoje.al, peticioni kishte mbledhur rreth 1 473 firma, ndërsa personeli akademik në Shqipëri numëronte afërsisht 10 mijë vetë. Më 20 tetor, kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, Sandër Kovaçi, njoftoi vendimin e kryesisë për bojkotimin e mësimdhënies në të gjitha universitetet publike, duke filluar nga 21 tetori.
Protestat u shoqëruan me përplasje me policinë dhe dëmtime të godinës së Ministrisë së Arsimit. Mediat raportuan për shkulje kangjellash, hedhje gurësh dhe thyerje xhamash.
Pedagogët kanë të drejtë të protestojnë dhe të kërkojnë ndryshimin e qeverisë. Por titulli akademik nuk i jep kërkesës politike vlerën e së vërtetës shkencore, as nënshkruesve mandatin për të përfaqësuar gjitha universitetet.
Mbetet edhe një pyetje. A është dënuar dhuna ndaj Ministrisë së Arsimit me të njëjtën vendosmëri si dhuna e pretenduar ndaj studentëve?
Nëse jo, autoriteti akademik nuk po përdoret për të mbrojtur një parim. Po përdoret për të justifikuar një qëndrim politik.
Teza 1. Autoriteti akademik nuk i jep qëndrimit politik vlerën e së vërtetës shkencore.
Pedagogu, si çdo qytetar, ka të drejtë të protestojë dhe të kërkojë dorëheqjen e qeverisë. Por kur del në publik me titujt akademikë, a paraqet një argument politik apo kërkon që autoriteti shkencor t’i japë peshën që argumenti duhet ta fitojë vetë?
Një profesor mund të jetë specialist i shkëlqyer dhe të ketë bindje politike të forta. Problemi fillon kur titulli akademik përdoret për t’i dhënë kërkesës politike pamjen e një përfundimi objektiv.
Në auditor, profesori e di se kompetenca ka kufij. Në politikë, këta kufij bëhen çuditërisht elastikë.
Mjafton titulli përpara emrit dhe mendimi politik rrezikon të paraqitet si rezultat i kërkimit shkencor. Mungon vetëm bibliografia.
Teza 2. Numri i firmave nuk provon vërtetësinë e kërkesës politike.
Në universitet, një pohim nuk bëhet i vërtetë nga numri i mbështetësve. Kërkohen argumente dhe prova. Njëqind profesorë që mbështetin të njëjtin përfundim nuk zëvendësojnë verifikimin e tij.
Peticionet janë forma legjitime të shprehjes kolektive. Por nënshkrimet dëshmojnë mbështetjen për një qëndrim, jo vërtetësinë e tij.
Përndryshe, shkenca do të kishte zbuluar një metodë të re kërkimore. Sa më shumë firma, aq më pak nevojë për prova.
Teza 3. Një grup profesorësh pa mandat nuk i përfaqëson të gjithë pedagogët.
Një peticion shpreh qëndrimin e nënshkruesve, jo domosdoshmërisht të gjithë pedagogëve të universiteteve.
Përfaqësimi kërkon mandat. Titujt akademikë nuk e zëvendësojnë atë.
Nuk ka problem kur profesorët flasin në emër të vet. Problemi lind kur firmat paraqiten si zëri i gjithë komunitetit akademik.
Në shkencë, kampioni nuk është automatikisht popullata. Në politikë, ndonjëherë mjafton që kampioni të dalë në televizor.
Më 2 nëntor, Sali Berisha deklaroi se strukturat e Forumit Rinor të PD-së kishin luajtur rol të rëndësishëm në bojkotin e universiteteve dhe gjimnazeve, madje përpara shpalljes së tij nga sindikata. Njoftoi gjithashtu se demokratët do të merrnin pjesë në protesta pa simbole partiake, për të respektuar karakterin qytetar të tyre.
Sipas deklaratës së Berishës, strukturat partiake kanë rol në bojkot, ndërsa simbolet partiake nuk duhet të shfaqen në protestë. Por kjo nuk sqaron se kush ka mandat të flasë në emër të studentëve, pedagogëve apo universiteteve në tërësi.
Profesorët kanë tituj, demokratët kanë organizim, ndërsa flamujt mund të qëndrojnë në shtëpi. Mbetet vetëm mandati. Ai nuk fitohet as me tituj, as duke fshehur flamujt.
Në shkencë, për të përcaktuar autorësinë, kërkohen prova. Në protestë, me sa duket, mjafton të kontrollosh nëse ka flamuj.
Teza 4. Kërkesa e profesorëve për dorëheqjen e qeverisë nuk zëvendëson procedurat kushtetuese.
Profesorët kanë të drejtë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit. Por kërkesa e tyre nuk përbën vetvetiu vendim për ndryshimin e qeverisë.
Në demokraci, qeveritë ndryshojnë nëpërmjet procedurave kushtetuese. Protestat dhe peticionet nuk zëvendësojnë votën dhe mekanizmat institucionalë.
Përndryshe, do të na duhej një procedurë e re kushtetuese. Kryeministri largohet kur një numër i mjaftueshëm profesorësh nënshkruajnë se nuk e duan më.
Mbetet vetëm të përcaktohet sa firma vlejnë për një mandat parlamentar.
Teza 5. Dhuna ndaj studentëve dhe dhuna ndaj Ministrisë së Arsimit duhen dënuar me të njëjtin standard.
Pedagogët kanë arsye të reagojnë kur studentët përballen me dhunë. Mbrojtja e të drejtave të tyre është përgjegjësi qytetare dhe akademike.
Por i njëjti parim kërkon dënimin e sulmeve ndaj institucioneve publike, pavarësisht autorëve dhe motiveve.
Peticioni i pedagogëve kërkonte mbrojtjen e pronës publike dhe private. Megjithatë, mbetet pyetja nëse sulmet ndaj godinës së Ministrisë së Arsimit janë dënuar publikisht me të njëjtën vendosmëri si dhuna e pretenduar ndaj studentëve.
Dhuna nuk ndryshon përkufizim kur ndryshon autori i saj.
Teza 6. Kundërshtimi i qeverisë nuk e përjashton përgjegjësinë për të dënuar dhunën e protestuesve.
Të kundërshtosh qeverinë është e drejtë demokratike. Të kundërshtosh dhunën edhe kur ushtrohet nga mbështetësit e kauzës sate është provë e qëndrueshmërisë së parimeve.
Pedagogu që kërkon përgjegjësi nga institucionet shtetërore duhet ta kërkojë edhe nga ata që i dëmtojnë ato.
Nuk kërkohet të heqë dorë nga protesta. Kërkohet të mos heqë dorë nga standardi.
Në auditor, dy standarde për të njëjtën dukuri quhen gabim metodologjik. Në protestë, ndoshta kërkojnë vetëm një mikrofon tjetër.
Teza 7. Parimet akademike vlejnë edhe jashtë auditorit.
Në universitet, profesori u mëson studentëve të kërkojnë prova, të kundërshtojnë pohimet e pambështetura dhe të mos e ngatërrojnë autoritetin e atij që flet me vërtetësinë e asaj që thotë.
Pastaj vjen politika. Dhe disa parime akademike duket se marrin leje për të mos dalë nga auditori.
Profesori kërkon gjykim të paanshëm, por çfarë ndodh kur duhet të gjykojë dhunën? Nëse është ushtruar dhunë ndaj studentëve, ajo meriton dënim. Po dhuna ndaj Ministrisë së Arsimit? A zbatohet i njëjti parim, apo për këtë rast duhet një program tjetër?
Në shkencë, përfundimi përcaktohet nga provat dhe arsyetimi. Në politikë, ndonjëherë mjafton të ndryshojë autori i veprimit.
Autoriteti akademik buron nga kompetenca në shkencë. Por ai nuk të jep privilegjin të zgjedhësh cilën dhunë të dënosh.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.