Kurti: Kjo fundjavë është vendimtare për presidentin — sot pritet takimi me Hamzën
Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se kanë nisur komunikimet me liderët e partive politike për zgjedhjen e presidentit të ri, duke e cilësuar këtë fundjavë si vendimtare. Siç mëson Gazeta Nacionale, Kurti dhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pritet të takohen sërish sot pasdite, ku temë do të jenë projektligji për Specialen dhe çështja e presidentit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se kanë nisur komunikimet me liderët e partive politike lidhur me marrëveshjen për zgjedhjen e presidentit të vendit, siç njofton KosovaPress. Deklaratat Kurti i bëri të premten, gjatë Konferencës Ndërkombëtare për Fuqizimin e Grave.
“Kemi filluar komunikimet. Natyrisht, se kjo fundjavë është vendimtare për të pasur një marrëveshje, në mënyrë që javën e ardhshme të kemi një president apo presidente të re”, tha Kurti, sipas raportimit të KosovaPress.
Kosova duhet ta zgjedhë presidentin deri më 6 tetor, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare, që sipas afatit duhet të mbahen më së largu më 15 nëntor. Afati 60-ditor për zgjedhjen e kreut të shtetit u përcaktua nga Gjykata Kushtetuese.
Ndërkohë, siç mëson Gazeta Nacionale, kryetari i LVV-së, Albin Kurti, dhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, do të takohen sërish sot pasdite, me temë të takimit projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe çështjen e presidentit. Lajmin për takimin e sotëm e konfirmon edhe Klan Kosova.
Kurti nuk ka dhënë detaje të tjera për përmbajtjen e komunikimeve apo për emrin e mundshëm të kandidatit, ndërsa ka theksuar se qëllimi është që marrëveshja të arrihet gjatë kësaj fundjave dhe që presidenti të zgjidhet javën e ardhshme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.