Kurti në Mal të Zi akuzon Serbinë për destabilizim dhe ngre shqetësimin për shqiptarët në Luginën e Preshevës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij në seancën plenare të Samitit XIII të Procesit të Berlinit, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të marrë vendim për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, duke i dhënë vendit statusin e kandidatit dhe duke hapur negociatat për anëtarësim.
Kurti, në samitin e mbajtur në Mal të Zi, ka theksuar se Kosova vazhdon të mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.
“Aplikimi i Kosovës po pret, që nga dhjetori i vitit 2022, për një vendim që i përket ekskluzivisht BE-së. Deri atëherë, mbetemi i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat”, ka deklaruar Kurti.
Ai u ka bërë thirrje përfaqësuesve evropianë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për avancimin e Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.
“Kërkojmë nga ju ta merrni vendimin: të kërkoni opinionin e Komisionit, t’i jepni Kosovës statusin e vendit kandidat dhe të hapni negociatat për anëtarësim”, ka thënë Kurti.
Gjatë fjalimit, Kurti ka theksuar se Kosova ka përmbushur përgjegjësitë që i takojnë në procesin e integrimit evropian, duke përmendur sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe përafrimin me politikën e jashtme të BE-së.
“Ne i qëndrojmë vlerave të Nenit 2, dhe vlerësimet e pavarura na vendosin ndër shtetet me përparimin më të madh demokratik në Evropën Jugore, nga lufta kundër korrupsionit deri te sundimi i ligjit”, ka deklaruar ai.
Kryeministri ka shtuar se Kosova ka zbatuar sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë që nga fillimi, duke e cilësuar këtë si dëshmi të orientimit të qartë evropian të vendit.
Në fjalimin e tij, Kurti ka ngritur edhe çështjen e sigurisë në rajon, duke përmendur sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, si dhe sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në Varagë.
Ai ka akuzuar Serbinë për përdorimin e metodave destabilizuese kundër Kosovës dhe ka kritikuar faktin që Milan Radoiçiq, të cilin e ka cilësuar si përgjegjës për sulmin në Banjskë, vazhdon të jetë i lirë.
“S ulmi ndaj një demokracie evropiane është sulm ndaj gjithë Evropës dhe meriton përgjigje kolektive, sepse reagimi që ndërtohet rast pas rasti nuk është parandalues”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të kontribuonte në parandalimin e kërcënimeve të sigurisë.
Një pjesë të fjalimit, Kurti ia ka kushtuar edhe të drejtave të pakicave në rajon, duke kërkuar vëmendje më të madhe për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Ju bëj thirrje të shikoni nga afër Luginën e Preshevës, ku shqiptarët, hap pas hapi, po shtyhen jashtë institucioneve, jetës publike e qytetare, derisa qëndrimi po bëhet shumë më i vështirë sesa largimi”, ka deklaruar ai.
Kurti ka theksuar se të drejtat e njeriut dhe dinjiteti njerëzor duhet të jenë vlera themelore të përbashkëta për vendet e rajonit.
Në përfundim, ai ka ritheksuar rëndësinë e Procesit të Berlinit dhe integrimit evropian, duke vënë në pah se përparimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së varet si nga reformat e brendshme, ashtu edhe nga vendimet politike të institucioneve evropiane./Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.