Kuvend, Berisha: Siguria kombëtare është cenuar, të bëhet transparencë për rastin e SHISH
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka cilësuar çështjen e ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni, një problem serioz për sigurinë kombëtare dhe ka kërkuar transparencë të plotë nga institucionet.
Duke folur në foltoren e Kuvendit, Berisha deklaroi se të dhëna sensitive që, sipas tij, i janë besuar Shqipërisë nga NATO dhe partnerët ndërkombëtarë, kanë përfunduar në duart e personave që ai i cilësoi si kundërshtarë të Shqipërisë dhe Aleancës.
Ai kërkoi që çështja të bëhet objekt i një transparence të plotë përpara qytetarëve dhe institucioneve, duke e cilësuar seancën parlamentare si një moment të rëndësishëm për trajtimin e saj.
“Siguria kombëtare është shembur në mënyrë totale, kur të dhënat sensitive sekrete që NATO i besonte vendit anëtar, Shqipëri, kanë kaluar në mënyrë të vazhdueshme në duart e armiqve të Shqipërisë dhe NATO-s. Ndaj dhe është jetike të bëhet transparenca e plotë para qytetarëve shqiptare e këtij skandali. Kjo seancë do hyjë në histori si seanca më e turpshme e mbledhur ndonjëherë. Çështja e të gjitha çështjeve është shembja totale e sigurisë së vendit pasi kryetarja e shërbimit informativ rezulton një anëtare e grupit të strukturuar kriminal Agasi”, tha Berisha.
Në fjalën e tij, kreu i PD-së u ndal edhe te bashkëpunimi ndër vite i shërbimit inteligjent shqiptar me shërbimet homologe të vendeve partnere. Berisha tha se si zhvillimet aktuale mund të ndikojnë në besimin e këtyre partnerëve ndaj institucioneve shqiptare të sigurisë.
“Shërbimi i inteligjencës shqiptare, për hir të së vërtetës, nga viti 1992 gjer sot, ka pasur në partneritetin e vet bashkëpunime jashtëzakonisht të çmuara dhe të rëndësishme me partnerët tanë, operacione shumë të çmuara. Dhe jo vetëm me shërbimet e partnerëve strategjike, por edhe të vendeve të tjera me kontribute substanciale. A mund të imagjinoni ju se çfarë paraqitet sot shteti, kombi para të gjitha këtyre vendeve që kishin vendosur, kishin realizuar operacionet më të besueshme me këtë shërbim nga viti 1992-1993 gjer sot? A e kuptoni ju se çfarë do të thotë për komunitetet inteligjente të vendeve”, tha Berisha.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.