Ndërprerjet e seancës pas bllokimit të foltores nga opozita, Kuvendi miraton kalimin direkt në votim të rendit të ditës pas kërkesës së PS
Pas tensioneve dhe ndërprerjeve të herëpashershme të seancës plenare, grupi parlamentar i Partisë Socialiste kërkoi kalimin direkt në votim të rendit të ditës.
Në emër të grupit të PS-së, deputeti Erion Malaj kërkoi që Kuvendi të mos vijonte me diskutimet dhe të kalonte drejtpërdrejt në votimin e pikave të rendit të ditës.
Kërkesa erdhi pas situatës së tensionuar në sallën e Kuvendit, ku deputetë të opozitës kishin bllokuar foltoren disa herë, duke shkaktuar katër herë ndërprerjen e seancës.
Propozimi i mazhorancës u hodh në votim dhe u miratua nga Kuvendi.
Pas miratimit të kërkesës, seanca do të vijojë direkt me miratimin e projektligjeve të parashikuara në rendin e ditës, duke shmangur vijimin e debateve.
Ndërprerjet e seancës erdhën pasi opozita kërkoi që në Kuvend të diskutohej çështja e ish-drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni, e cila është shkarkuar nga detyra dhe ndodhet në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, në kuadër të hetimit që SPAK po zhvillon ndaj saj për dyshimet mbi lidhjet me Ergys Agasin.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.