TURQI – Tërmet me magnitudë 5,4 ballë Rihter
IZMIR, 24 shtator /ATSH-DPA/- Një tërmet me magnitudë 5,4 ballë Rihter goditi sot juglindjen e Turqisë.
Epiqendra, ku tërmeti u regjistrua në sipërfaqen e tokës, ishte në provincën Shanliurfa, njoftoi Agjencia turke për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) në rrjetin social X.
Sipas njoftimit fillestar të autoriteteve, nuk janë raportuar dëme apo persona të plagosur.
Televizioni “CNN Türk” raportoi se lëkundjet u ndjenë edhe në Dijarbakir, qytet me më shumë se 1 milion banorë, rreth 160 kilometra larg vendit ku u regjistrua tërmeti.
Turqia ndodhet mbi shumë zona të çarjeve tektonike, zona ku pllakat e tokës dhe shkëmbinjtë në koren e Tokës, lëvizin dhe mund të shkaktojnë tërmete.
Në shkurt 2023, juglindja e Turqisë u godit nga dy tërmete shumë të fuqishme, me magnitudë 7,7 dhe 7,6 ballë Rihter, të cilat shkaktuan dëme të mëdha dhe u ndjenë edhe në Sirinë fqinje.
Sipas shifrave të qeverisë turke, më shumë se 53 mijë njerëz humbën jetën në Turqi, ndërsa mijëra të tjerë vdiqën në Siri.
Shkencëtarët kanë paralajmëruar prej kohësh për rrezikun e lartë të tërmeteve në Turqi.
Stambolli, ku jetojnë miliona njerëz, konsiderohet një nga zonat veçanërisht të rrezikuara./



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.