Kuvend- Deputetët Muça dhe Zhupa kërkojnë llogari për “Zvërnecin”, Jaupaj: Zona, peizazh i mbrojtur, kategoria 5. Ligji s’ vendos ndalim absolut për zhvillime turistike
Deputetja demokrate Ina Zhupa dhe deputeti i “Lëvizjes Bashkë”, zhvilluan një interpelancë me Ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj lidhur me investimin e planifikuar në Zvërnec
Zhupa akuzoi qeverinë se ka lejuar oligarkët të rrethojnë zonën e mbrojtur me roje private dhe tela me gjemba, duke dhunuar qytetarët. Ajo ngriti pyetje mbi lejet e ndërtimit, dakordësinë për zhvillim, sipas saj, pa një vlerësim të ndikimit në mjedis dhe akuzoi ministrin se ka ndryshuar ligjin për zonat e mbrojtura për t’i hapur rrugë ndërtimeve.
“Kjo protestë nxori në pah edhe strucin e Nartës, me sjelljen tuaj Ministër që nuk i ktheni përgjigje qytetarëve, gazetarëve dhe nevojën për llogaridhënie që duhet të jepni sot këtu. Oligarkët tuaj rrethuan zonën e mbrojtur pa ju dridhur qerpiku, vendosën roje private dhe dhunuan qytetarët sepse kishin mbrojtjen tuaj. A mund të jetë një pronë private brenda zonës së mbrojtur dhe të trajtohet si një parcelë e zakonshme ndërtimi? A janë dhënë leje ndërtimi për objektin resort në Zvërnec shoqëria “Zvërnec South Adriatik Development”. A jeni ju që i jeni përgjigjur Komisionit Europian që e keni pezulluar projektin? Thoni nuk ka projekt, por thuhen shifra për projektin. A ka leje zhvillimi, ndërtimi, a ka projekt apo jo. Si është dhënë dakordësia për leje zhvillimi pa një vlerësim të ndikimit në mjedis të përfunduar dhe të konsultuar. A mund të miratohen rrethime, punime përgatitore në një zonë të mbrojtur pa një VNM të përfunduar dhe ndikimin mbi dunat, habitatet. Nëse realisht e keni pezulluar siç i keni thënë Brukselit, a mund të na thoni se me çfarë akti e keni pezulluar, kur? Keni ndryshuar ligjin e zonave të mbrojtura për t’i hapur rrugë ndërtimeve të tilla dhe në Shqipëri mos të kishte më zona të mbrojtura. I keni deklaruar Komisionit Europian që do ta hiqni ligjin për zonat e mbrojtura. A është e vërtetë? A e keni lexuar ju rezolutën e BE? Na thuaj a je dakord apo jo, që duhet të shfuqizohet ligji i zonave të mbrojtura? Për Ministrinë e Mjedisit ka më shumë rëndësi të mbrohet trashëgimia apo të shkatërrohet?”, tha Zhupa.
Nga ana e tij, Redi Muçi pretendoi se kompania zhvilluese kishte futur makineri të tonazhit të rëndë në zonën e mbrojtur, duke pretenduar se kishte leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Ai kërkoi publikimin e dokumenteve zyrtare dhe sqarime mbi shifrën e përmendur prej 4.5 miliardë dollarësh për investimin.
“Me ligjin e zonave të mbrojtura, para se të bënit ndryshime, a mbroheshin apo jo nën zonat A dhe B, pavarësisht kategorisë? A ishin ndryshimet e 2024 pararendëset e asaj që do ndodhnin në 2026? Pretendohej se kompania që do të kryente punimet dhe kishte futur makineritë e tonazhit të rëndë brenda rrethimit me tela me gjemba kishte leje zhvillimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, i drejtuar nga Edi Rama. Edhe pse kjo leje nuk është zbardhur. A mund të na japësh këtë dokument? A ka apo jo projekt? Dhe nëse nuk ka, ku e gjeni guximin të përmendni 4.5 mld dollarë? Ditët e fundit ka qarkulluar në media një dokument që mban datën 28 janar 2025 që dëshmon se në rendin e ditës të mbledhjes së KKTU-së përcaktohet për diskutim leja e ndërtimit për objektin resort turistik në Zvërnec me objekt zhvillues shoqëria Zvërnec South Adriatik Development. A qe shoqëruar me një dokument VNM, vlerësimit të ndikimit në mjedis ky projekt që po shqyrtohej për leje ndërtimi? Nëse po ku ndodhet ky dokument dhe sot a ka një dokument vlerësimi të ndikimit në mjedis? Sa i përket rrethimit me telë me gjemba, ministri deklaroi se bëhet fjalë për një rrethim të një prone private për studime gjeologjike. A i qëndron ende kësaj deklarate sot?”, theksoi ai.
Ministri Sofjan Jaupaj u kundërpërgjigj duke theksuar se Shqipëria ka 22% të territorit të shpallur zonë të mbrojtur, me rrjetin më të zhvilluar në Ballkanin Perëndimor. Ai solli në vëmendje shpalljen e Vjosës Park Kombëtar dhe moratoriumin e gjuetisë si dëshmi të angazhimit të qeverisë për mbrojtjen e natyrës.
Jaupaj sqaroi se është vendosur zhvillimi i një procedure të thelluar të vlerësimit të ndikimit në mjedis, duke garantuar se vendimmarrja do të bazohet mbi evidencë shkencore dhe ekspertizë profesionale.
Sipas tij, zona është shpallur peizazh i mbrojtur, kategoria 5, ku ligji lejon aktivitete ekonomike dhe turistike me kushte të caktuara.
“Sot Shqipëria ka 22% të territorit zonë të mbrojtur, ka rrjetin më të zhvilluar të zonave të mbrojtura në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Është i vetmi vend në rajon me një administratë të dedikuar për zonat e mbrojtura në të gjithë territorin. Sot ne kemi 12 parqe kombëtare, 28 parqe natyrore dhe rezerva, 11 peizazhe të mbrojtura dhe mbi 700 monumente natyre. Kjo është qeveria që e shpalli Vjosën Park Kombëtar, që shpalli Parkun Kombëtar të Alpeve duke dyfishuar zonën e mbrojtur nga Vermoshi në Valbonë, që çoi Liqenin e Shkodrës, Vjosën dhe Ohrin në programet e Unescos, vendosi moratoriumin e gjuetisë dhe krijoi kushtet e rigjenerimit të faunës së egër. Prandaj askush nuk mund të vërë në dyshim angazhimin tonë për mbrojtjen e natyrës. Kur flasim për çështje që lidhen me mjedisin, investimet dhe zhvillimin, duhet të mbështetemi te faktet. Janë ngritur pretendime sikur procedura mjedisore është anashkaluar. Faktet tregojnë se më 5 maj 2026, subjekti zhvillues ka aplikuar për procedurën e ndikimit në mjedis. Pas shqyrtimit të dokumentacionit, më 15 maj 2026 u vendos që duhet t’i nënshtrohet procedurës së thelluar të ndikimit në mjedis. Pra është aktivizuar niveli më i lartë i analizës dhe kontrollit mjedisor që parashikon legjislacioni.
Projekti do t’i nënshtrohet një analize të plotë dhe shkencore të ndikimeve mbi mjedisin, biodiversitetin, habitatet dhe speciet e mbrojtura, ujërat, tokën, klimën dhe komunitetin. Shteti shqiptar ka vendosur që vendimmarrja mjedisore për projektin që do të paraqitet të mbështetet mbi evidencën shkencore, ekspertizë profesionale. Është garancia që mbrojtja e natyrës nuk duhet të bazohet mbi deklarata politike, por vlerësime profesionale. Zona është shpallur peizazh i mbrojtur kategoria 5. Kategoria 5 nuk është rezervë strikte natyrore, nuk ndalohet çdo aktivitet njerëzor, përkundrazi filozofia e kësaj kategorie bazohet mbi bashkëjetesën e natyrës, aktivitetin ekonomik, social dhe turistik. Ligji shqiptar parashikon që në peizazhe të mbrojtura mund të ekzistojnë qendra banimi, aktivitete turistike, bujqësore, peshkim dhe forma të tjera të përdorimit të territorit. Po ashtu përcakton se veprimtari si ndërtime dhe zhvillime infrastrukturore mund të zhvillohen kur subjekti është i pajisur me leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Pra ligji nuk vendos ndalim absolut për zhvillime turistike në kategorinë 5, por kushte, procedura dhe garanci për mënyrën si duhet të zhvillohen. Janë bërë pretendime se zhvillime të tilla bien ndesh me standardet e BE. Edhe kjo nuk është e vërtetë. Ajo që kërkon BE është respektimi i direktivës së habitateve dhe direktivës së shpendëve dhe këto direktiva nuk vendosin ndalim absolut të zhvillimit, përkundrazi kërkojnë që çdo projekt të vlerësohet mbi bazë të ndikimit direkt që mund të ketë mbi habitatet dhe speciet e mbrojtura. Kërkojnë balancimin e mbrojtjes së natyrës me nevojat ekonomike, sociale dhe rajonale”, tha Ministri.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.