Kuvend/ Tabaku: Të rinjtë janë ngritur kundër një sistemi që i detyron të largohen, qeveria duhet t’i dëgjojë
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi nga foltorja e Kuvendit se protestat e të rinjve janë një reagim kundër sistemit që, sipas saj, ka detyruar shumë prej tyre të largohen nga vendi dhe ka penguar zhvillimin normal të Shqipërisë.
Gjatë fjalës së saj, Tabaku u shpreh se të rinjtë nuk po protestojnë për një projekt, por kundër një realiteti që kanë përjetuar prej vitesh.
“Të rinjtë kanë mbushur sheshet për të treguar se janë kundër rilindjes, kundër atij sistemi që i ka detyruar të largohen, kundër atij sistemi që e ka kthyer Shqipërinë në një vend të pajetueshëm dhe në një vend të pakicës.
Ata sot nuk protestojnë për një projekt të vetëm. Ata protestojnë për një realitet, për atë që kanë përjetuar për vite me radhë. Partia Socialiste nuk i përfaqëson më ata. Ata protestojnë kundër një sistemi të kapur dhe kundër faktit që nuk duan të largohen nga vendi i tyre”, tha Tabaku.
Deputetja theksoi gjithashtu se opozita ka ngritur vazhdimisht shqetësime për çështje që lidhen me zonat e mbrojtura, investimet strategjike dhe procesin e integrimit europian.
“Për katër vite me radhë kemi dërguar mbi 14 kërkesa për ligjin e zonave të mbrojtura, për investimet strategjike dhe për shumë çështje të tjera, për të treguar se e ardhmja e vendit është në udhëkryq dhe se vendimet e qeverisë po pengojnë proceset e integrimit”, deklaroi ajo.
Në përfundim, Tabaku tha se zëri i protestuesve duhet të dëgjohet si nga forca politike e saj, ashtu edhe nga qeveria.
“Sot realiteti është ndryshe. Shqipëria është ngritur në këmbë dhe ne duhet ta dëgjojmë. Duhet ta dëgjojmë ne si forcë politike, por duhet ta dëgjojë edhe qeveria kërkesën e tyre legjitime për dorëheqje dhe për të ndryshuar Shqipërinë”, përfundoi deputetja e PD-së.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.