KUVENDI LIVE! “Shqipëria po trajtohet si plaçkë”, Balla-Zhupës: Dilni në protestën që bën thirrje “Berisha
Debate të forta kanë shoqëruar seancën plenar në Kuvend, lidhur me mbrojtjen e natyrës dhe protestat që kanë përfshirë vendin.
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, akuzoi qeverinë se përmes këtyre ligjeve ka trajtuar Shqipërinë si një pronë private, duke favorizuar interesa të ngushta në dëm të qytetarëve dhe të pasurive natyrore të vendit.
“Paketa e integrimit është në fakt paketa e shfuqizimit të ligjeve që ia kanë dhuruar Shqipërinë oligarkëve dhe klientëve të pushtetit, të cilët e kanë trajtuar vendin si një plaçkë që kryeministri mund ta ndajë sipas dëshirës së vet. Kjo nuk është as Shqipëria europiane dhe as Shqipëria që duan shqiptarët. Ju keni një projektligj për shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura. Përpara se të niste protesta qytetare, kjo ishte një kërkesë e Parlamentit Europian dhe unë e kam sjellë si reflektim të angazhimit që Kuvendi mori për zbatimin e rekomandimeve të tij. Në fakt, është i vetmi projektligj që nuk ka një datë shqyrtimi, ndërkohë që është një nga kërkesat e protestuesve për mbrojtjen e zonave të mbrojtura në vend. Ju e mbani pa datë, ndërsa miratojmë kalendar pune për çështje të pavlera që nuk i shërbejnë interesit publik.”, deklaroi Zhupa.
Ajo u ndal veçanërisht te projektligji për shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura, duke theksuar se ai lidhet drejtpërdrejt me rekomandimet e Parlamentit Europian dhe me kërkesat e protestuesve që kundërshtojnë ndërhyrjet në zonat e mbrojtura.
Sipas saj, ndonëse projektligji është depozituar në Kuvend, ai mbetet pa një datë shqyrtimi, ndërsa Kuvendi vijon të miratojë kalendar pune për çështje që, sipas opozitës, nuk i shërbejnë interesit publik.
“Po e trajtoni Shqipërinë si plaçkë. Realiteti kërkon dorëheqjen e Ramës, një qeveri tranzitore dhe një Parlament që nuk i anatemon protestuesit dhe nuk i numëron ata me syzet e miopit, por me syzet e realitetit. Ata të rinj kërkojnë shfuqizimin e ligjeve që e trajtojnë Shqipërinë si plaçkë. Brezi i ri do një Shqipëri më të mirë, duan një vend në Bashkimin Europian dhe standardet e BE-së.”, u shpreh deputetja demokrate.
Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, hodhi poshtë kritikat e opozitës dhe paralajmëroi se mazhoranca do të votojë kundër katër projektligjeve të propozuara nga PD.
“Ky ishte një fjalim si i një flamingoje nga Temu. Keni disa ditë që ju është dukur vetja si flamingo, që kur ju zgjoi bufi. Bëni zhurmë sa të doni, shkoni në protestë po të doni, madje vidheni edhe protestën po të doni, por për katër projektligjet që keni sjellë, ne jemi kundër dhe do t’i rrëzojmë ato, sepse jemi votuar për ta zhvilluar Shqipërinë.”, deklaroi Balla.
Ai akuzoi opozitën për qëndrime kontradiktore lidhur me investimet strategjike, duke theksuar se vendi nuk mund të humbasë mundësi zhvillimi ekonomik.
“Një javë më parë dolët me bufin e madh dhe thatë se jeni pro investimeve. Atëherë cili është qëllimi i këtyre katër projektligjeve? Ne jemi pro investimeve dhe ato do të realizohen. Shqipëria nuk e ka luksin të humbasë 4 miliardë euro. Zhupa citoi edhe tekstin e zëvendësministrit të Jashtëm të Iranit, i cili foli edhe shqip duke thënë: “Rama ik”. Ne kemi një kontratë me qytetarët shqiptarë dhe do të vijojmë detyrën tonë drejt integrimit europian. Nuk kemi asnjë orë për të humbur duke diskutuar për paketën e ligjeve të integrimit. Si të votoni, pro apo kundër, për ne ka pak rëndësi.”, tha ai.
Balla shtoi se mazhoranca do të vijojë punën për integrimin europian dhe zhvillimin e projekteve strategjike, duke përmendur edhe projektin turistik në Zvërnec.
“Katër projektligjet që keni sjellë, po jua them në emër të grupit parlamentar, do të rrëzohen kurdo që të vijë dita e shqyrtimit të tyre. Projekti në Zvërnec do të vijojë dhe Shqipëria do të ecë përpara drejt Bashkimit Europian”, deklaroi kreu i grupit socialist.
Tre ditë më parë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dorëzoi zyrtarisht në Kuvend një paketë ligjore që, sipas opozitës, synon mbrojtjen e natyrës, trashëgimisë kulturore dhe zonave malore të vendit, të cilat janë edhe kërkesa të artikuluara nga protestuesit gjatë protestave të tyre në Tiranë.
PJESE NGA DEBATI:
Zhupa: Ky Kuvend nuk mund të jetë i ndarë nga realiteti qytetarëve në shesh. Keni projekt ligj për shfuqizimin e zonave të mbrojtura ardhur përpara protestës. Kjo një prej kërkesave të protestuesve. E keni lënë pa datë. Realiteti kërkon dorëheqjen e Edi Ramës dhe një qeveri tranzitore.
Balla: Ky ishte fiks një fjalim flamingo nga Temu. Edhe më pëlqen shumë që keni disa ditë që ju zogjtë e bufit ju duket vetja si flamingo, edhe pse me respektin më të madh, kush ju ka komanduar ju, kush ju ka autorizuar… bëni zhurmë sa të doni. Shkoni dhe në protestë po deshët, sa i përket katër ligjeve ne jemi kundër. Jemi kundër dhe do t’i rrëzojmë ato sepse jemi votuar për ta zhvilluar Shqipërinë. Ju një javë më parë dolët me kryedrejtuesin tuaj, Bufin e madh, dhe thatë që jeni pro investimit. Tani kush është qëllimi i 4 projektligjeve. Ne jemi pro investimit, investimi do të bëhet. Shqipëria nuk e ka luksin të humbë 4 miliardë.
Pse bëheni kaq qesharakë? Zonja që sapo foli sapo citoi tekstin e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Iranit, që doli dje hapur… se dhe ti më dukesh si zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit. Po ju ç’kërkoni në protestë? E kuptoj atë djalin atje, se ata atë punë kanë. Pashë një deputet që thoshte: “Jemi në protestë kundër sistemit”. Kujt sistem? Një protestë që thërret Sali Berisha në burg. E dimë fare mirë që kemi një kontratë me qytetarët shqiptarë. Doli zonja dhe tha: “Jemi për paketën e integrimit”, ai u votua. Ju nuk e keni mendjen në mësim. Ne jemi këtu, do e vazhdojmë detyrën tonë. Orë për të humbur nuk kemi. Ju deri më tani, për ta ditur, ende nuk keni votuar asnjë ligj që lidhet me paketën e integrimit. Ndac vini votoni, ndac jo, kjo pak rëndësi ka.
Për katër projektligjet që keni sjellë, thatë që do sillnit kërkesë për procedurë. Të katër projektligjet tuaja do të rrëzohen dhe projekti në Zvërnec do të vazhdojë dhe Shqipëria do ecë para në BE.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.