Kuvendi mblidhet sot në séance plenare, Rama dhe 4 ministra thirren në interpelancë nga opozita
Katër ministra dhe kryeministri Edi Rama janë thirrur këtë të enjte (11 qershor) në interpelancë nga deputetë të opozitës në seancën plenare të Kuvendit për një sërë çështjesh që lidhen me mjedisin, rendin dhe sigurinë, ekonominë, financat publike dhe qeverisjen.
Sipas rendit të ditës të seancës plenare të 11 qershorit, deputetët e opozitës kanë kërkuar fillimisht një interpelancë urgjente me Ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, si dhe një interpelancë urgjente me Ministrin e Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari. Të dyja kërkesat janë depozituar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Në vijim të seancës është parashikuar edhe një interpelancë me kryeministrin Edi Rama, e kërkuar nga deputeti Agron Shehaj. Ndërkohë, deputeti Enno Bozdo ka kërkuar interpelancë me Ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, për çështje që lidhen me sektorin ekonomik dhe politikat e zhvillimit.
Në fokus të opozitës do të jetë edhe Ministria e Financave. Deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri kanë depozituar dy kërkesa për interpelancë me ministrin Petrit Malaj, duke e bërë atë një nga anëtarët e kabinetit që do të përballet më shumë se një herë me pyetjet e deputetëve në seancë.
Përveç interpelancave, rendi i ditës përfshin miratimin e procesverbalit të seancës së kaluar, njoftime dhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës. Seanca plenare pritet të nisë në orën 10:00 dhe të shoqërohet me debate politike mes mazhorancës dhe opozitës mbi temat e ngritura në kërkesat për interpelancë.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.