Lajm i mirë për futbollin kosovar: Arrijnë reflektorët e parë, tri stadiume bëhen me drita
Infrastruktura e futbollit në Kosovë po merr një shtytje të rëndësishme përpara fillimit të edicionit të ri garues. Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka konfirmuar se reflektorët për tre stadiumet e para tashmë kanë arritur në Kosovë.
Në një prononcim për podcast-in “Sportcast” të Kosovapress-it, kreu i shtëpisë së futbollit kosovar zbuloi detajet e këtij projekti që pritet t’u japë një pamje tjetër ndeshjeve të Superligës.
Ademi bëri me dije se punimet kanë hyrë në fazën konkrete dhe se pajisjet e nevojshme për ndriçim tashmë kanë arritur.
“Është projekt konkret. Tashmë në Skenderaj veçse kanë arritur dritat, kanë arritur në Klinë dhe në Gjilan. Këto janë tri stadiumet e para që bëhen me reflektorë, e pastaj besoj se do të bëhen edhe tri stadiume të tjera sa i përket punëve që duhet t’i bëjnë komunat dhe klubet. Sa i perket dritave ato janë gati, reflektorët veçse kanë ardhur. Për këto tri stadiumet e para i kemi këtu, për tri stadiumet e tjera nisen brenda afatit 10-ditor”, u shpreh Ademi, duke konfirmuar se Drenica, Dukagjini dhe Drita e Gjilami së shpejti do të mund t’i luajnë ndeshjet në stadiumet “Bajram Aliu” në Skenderaj, “18 Qershori” në Klinë dhe në atë me bari sintetik në Gjilan edhe në mbrëmje.
Përveç përmirësimit të infrastrukturës, i pari i FFK-së theksoi se federata ka përfunduar të gjitha përgatitjet administrative dhe organizative për startin e kampionatit të ri. Ai nënvizoi se rregulloret e garave analizohen dhe freskohen pas çdo edicioni për të shmangur çdo anomali.
“Ne jemi të gatshëm sa i përket anës sonë administrative e organizative. Shpresoj që edhe klubet të jenë të gatshme dhe të mbajmë një nivel në ngritje, siç e kemi si liga më e ranguar në regjion”, përfundoi Ademi.
Përmirësimi i ndriçimit në stadiumet e Superligës do t’u mundësojë klubeve zhvillimin e ndeshjeve në oraret e mbrëmjes, diçka që pritet të rritë dukshëm edhe pjesëmarrjen e tifozëve në shkallët e stadiumeve, sidomos në periudhën e verës.



