Lehtësi fiskale deri në 30% të tatimit mbi fitimin, Gonxhja: Projektligji i sponsorizimeve në sport e kulturë, partneritet mes shtetit dhe biznesit
Bizneset që sponsorizojnë aktivitete në sport, kulturë dhe art do të mund të përfitojnë lehtësi fiskale deri në 30% të tatim-fitimit të paguar, sipas projektligjit “Për donacionet dhe sponsorizimet”, të shqyrtuar në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet.
Zbritja do të ketë kufi maksimal prej 30 milionë lekësh në vit për çdo sponsor dhe një tavan kombëtar prej 2 miliardë lekësh. Gjithashtu, parashikohet mundësia që bizneset të mbështesin drejtpërdrejt sportistët dhe artistët që përfaqësojnë Shqipërinë në aktivitete ndërkombëtare.
Projektligji synon të nxisë financimin privat të veprimtarive me interes publik, duke vendosur njëkohësisht rregulla të reja për transparencën dhe parandalimin e konfliktit të interesit.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se mekanizmi i ri fiskal parashikohet të nisë zbatimin në vitin 2027, me efekt në përllogaritjet tatimore të vitit 2028. Lehtësia do të ketë një kufi maksimal prej 30 milionë lekësh në vit për çdo sponsor dhe një tavan kombëtar prej 2 miliardë lekësh.
“Me këtë projektligj bëjmë një kapërcim konceptual, kalojmë nga modeli i bamirësisë së izoluar drejt një partneriteti strategjik ndërmjet shtetit, biznesit dhe shoqërisë, ku krijohet vlerë e përbashkët ekonomike dhe sociale. Buxheti i shtetit mbetet një instrument themelor, por fondet publike dhe thirrjet vjetore nuk janë më burimi i vetëm për të mbuluar nevojat dhe ambiciet për zhvillim”, u shpreh ministri Gonxhja.
Ministri theksoi se një tjetër risi e projektligjit është mundësia që bizneset të mbështesin drejtpërdrejt sportistët dhe artistët që përfaqësojnë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
Gonxhja shtoi se nisma synon të modernizojë kuadrin ligjor të vitit 1994, duke iu përgjigjur zhvillimit të turizmit, kulturës dhe sportit në vend.
“Projektligji e zgjeron ndjeshëm fushën e aktiviteteve me interes publik, duke prodhuar përfitime të drejtpërdrejta në ekonomi, shëndetësi, kohezion social dhe parandalimin e kriminalitetit”, u shpreh ministri Gonxhja në komision.
Një rëndësi e veçantë i kushtohet edhe ndikimit të eventeve kulturore dhe sportive në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale. Ministri përmendi përvojat e Giro d’Italia 2025 dhe koncertit të YE (Kanye West) në Tiranë, të cilat dëshmojnë potencialin që kanë aktivitetet ndërkombëtare për të tërhequr vizitorë të huaj, për të rritur konsumin dhe për të aktivizuar sektorë si hoteleria, gastronomia, transporti dhe shërbimet.
Vetëm për këtë vit parashikohen të zhvillohen 3000 evente turistike, sportive e kulturore, ose 21% më shumë se një vit më parë.
“Megjithëse buxheti i Shqipërisë për artin, kulturën dhe trashëgiminë në vitin 2026 parashikohet rreth 4,8 miliardë lekë, niveli i financimit për banor mbetet rreth 2.030 lekë. Ky tregues është dukshëm më i ulët se në vendet e tjera evropiane”, u shpreh ministri Gonxhja duke shtuar se objektivi për rritjen e kontributit të kulturës në ekonomi sipas standardeve të BE-së, nuk mund të arrihet vetëm me buxhetin e shtetit, por kërkon mobilizim masiv të kapitalit privat.
Kreu i MTKS-së ka theksuar dhe faktin se projektligji vendos një standard të rreptë transparence, gjurmueshmërie dhe kontrolli. Parashikohet të ketë gjurmueshmëri të plotë financiare si dhe të krijohet një regjistër i posaçëm elektronik, i administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe i integruar me platformën e-Albania, ku do të pasqyrohet çdo kontratë dhe çdo transaksion. Parashikohen gjithashtu ndalimi i donacioneve anonime dhe kufizime të posaçme për sektorë të caktuar, me qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe shmangien e abuzimeve.
Projektligji nuk synon të zëvendësojë financimin publik, por ta plotësojë dhe shumëfishojë atë përmes një partneriteti më të strukturuar ndërmjet shtetit, biznesit dhe shoqërisë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.