Sinjalistikë e re sipas standardit zyrtar të unifikuar, në Kalanë e Prezës
Në Kalanë e Prezës ka nisur puna për pajisjen me sinjalistikë të re turistike të siteve të trashëgimisë kulturore, përmes vendosjes së tabelave informuese dhe orientuese.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha se, ky projekt synon të lehtësojë lëvizjen dhe orientimin e vizitorëve, si dhe të ofrojë më shumë informacion mbi historinë, vlerat dhe rëndësinë e monumenteve tona të kulturës, në mënyrë të unifikuar dhe sipas një standardi zyrtar detyrues të aprovuar nga KKTKM dhe MTKS.
Ministri Gonxhja bëri të ditur se, projekti do të vijojë edhe gjatë vitit 2027, duke përfshirë site të tjera të trashëgimisë kulturore.
Kalaja e Prezës përfaqëson monumentin kryesor historik të Bashkisë Tiranë, si dhe një nga fortifikimet më karakteristike të periudhës mesjetare në Shqipëri. E vendosur mbi një kodër ajo paraqet elemente tipike të arkitekturës mbrojtëse dhe ofron pamje panoramike mbi fushën e Tiranës dhe zonat përreth.
Nga kulla dhe muret rrethuese të kalasë shtrihet një nga pamjet më tërheqëse të territorit, një panoramë që përfshin fushën e Tiranës, zonat kodrinore dhe vargmalet veriore. Kjo pikë është ndër më të vizituarat nga turistët për shkak të kombinimit unik mes natyrës dhe historisë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.