Leskaj: Ngjarja në Kumanovë, e rrezikshme. Shkupi të zbatojë “Ohrin”
Nënkryetarja e Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, Valentina Leskaj, duke komentuar ngjarjet e fundit në Kumanovë, ka deklaruar se situata në vendin fqinj rrezikon të përkeqësohet nëse ngjarja nuk merr vlerësimin e duhur.
Në fjalën e saj në punimet e kësaj asambleje, Leskaj nënvizoi se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është e vetmja mënyrë për të shmangur përplasjet ndëretnike në Maqedoni.
“Shpreh keqardhjen e thellë për jetët e humbura në incidentin e Kumanovës. Situata në Maqedoni është serioze dhe mund të përbëjë rrezik nëse nuk vlerësohet siç duhet. Zhvillimet e fundit në Kumanovë kanë dhunuar të drejtat dhe marrëdhëniet ndëretnike. Këto marrëdhënie mbeten delikate përsa kohë Marrëveshja e Ohrit zbatohet pjesërisht”, tha Leskaj.
Sipas saj, mungesa e transparencës rreth asaj që ndodhi në Kumanovë e bën edhe më të vështirë situatën. Gjuha e urrejtjes, shtoi Leskaj, duhet zëvendësuar me angazhimin për të respektuar të drejtat e njeriut dhe ligjin.