LETONI – Nisin bisedimet për formimin e qeverisë së re
RIGË, 28 tetor /ATSH-DPA/- Në Letoni kanë nisur sot bisedimet për formimin e një qeverie të re, dy javë e gjysmë pas zgjedhjeve parlamentare.
Aleanca fituese e zgjedhjeve, “Lista e Bashkuar”, e drejtuar nga kryeministri Andris Kulbergs, zhvilloi në kryeqytetin Riga bisedimet e para me dy parti, që kanë qenë pjesë e qeverisë së mëparshme, “Aleancën Kombëtare”, një parti konservatore e krahut të djathtë, dhe partinë “Uniteti i Ri”, e cila është e qendrës së djathtë dhe mbështet politika liberale në ekonomi.
Bisedimet me partitë e tjera që kanë fituar vende në parlament, pritet të vijojnë gjatë ditëve në vijim.
Kulbergs tha se prioritetet e qeverisë së re do të jenë, përmirësimi i financave të shtetit, nxitja e rritjes ekonomike, forcimi i sigurisë dhe reforma e administratës publike.
Pas takimeve të para, ai theksoi se partitë që duan të bashkëqeverisin, duhet të jenë të gatshme të marrin edhe vendime të vështira, të cilat mund të mos pëlqehen nga qytetarët ose të sjellin kosto politike.
Në zgjedhjet parlamentare të 3 tetorit, partia e drejtuar nga Kulbergs, i cili është në detyrë që nga maji, mori dukshëm më shumë vota se partitë e tjera.
“Lista e Bashkuar” fitoi 41 nga 100 vendet në parlament, rezultati më i mirë i arritur nga një parti e vetme në Letoni, që nga rifitimi i pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik, në vitin 1991.
Në total, gjashtë parti politike siguruan vende në parlamentin e Letonisë, vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Presidenti Edgars Rinkevics tha se shpresonte që marrëveshja për qeverinë e re të arrihej deri më 18 nëntor, ditën kombëtare të Letonisë.
Për të krijuar një qeveri që ka shumicën në parlament, Kulbergs duhet të arrijë marrëveshje me të paktën një parti tjetër.
Kjo është e nevojshme sepse 41 vendet e fituara nga “Lista e Bashkuar” nuk mjaftojnë për të siguruar shumicën në parlamentin me 100 vende.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.