KGjK publikon raportin e inspektimit në Gjykatën e Pejës për rastin e Arlinda Zekajt
Raporti përfundimtar i inspektimit iu dorëzua sot Këshillit Gjyqësor: e ndjera kishte urdhër mbrojtës në fuqi gjatë gjithë kohës, ndërsa aktakuza ndaj bashkëshortit të saj mbërriti në gjykatë vetëm pas vrasjes.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës publikoi një komunikatë pas inspektimit në Gjykatën Themelore në Pejë për rastin e Arlinda Zekajt, e vrarë më 25 tetor në Pejë. Sipas komunikatës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës, raporti përfundimtar i inspektimit iu dorëzua sot Këshillit.
Sipas KGjK-së, gjykata e pranoi kërkesën për urdhër mbrojtës emergjent më 7 shtator 2026 dhe e regjistroi po atë ditë në regjistrin manual dhe në SMIL, sipas Rregullores nr. 17/2024, ndërsa me aktvendim të 7 shtatorit 2026 u caktua urdhri për mbrojtje emergjente për Arlinda Zekaj-Sylajn. Pala e mbrojtur dhe përfaqësuesi për mbrojtjen e viktimave kundërshtuan vetëm pikën III të dispozitivit, për besimin e fëmijës dhe alimentacionin, ndërsa me aktvendimin C.nr. 1300/2026 të 16 tetorit 2026 gjykata e aprovoi kërkesën e palës së mbrojtur dhe kundër tij nuk u paraqit ankesë.
Siç njofton KGjK-ja, e ndjera ka pasur urdhër mbrojtës të caktuar gjatë gjithë kohës dhe të dy aktvendimet iu përcollën Policisë së Kosovës për ekzekutim. Më 26 tetor 2026, në orën 08:56, gjykata pranoi aktakuzën PP/II Nr. 1340/2026 të Prokurorisë Themelore në Pejë kundër Jeton Sylajt, bashkëshortit të viktimës, pra pas vrasjes, dhe aktakuza u regjistrua menjëherë me numër P.nr. 832/2026. Nga shkresat e lëndës, palë kanë qenë vetëm Arlinda Zekaj-Sylaj dhe Jeton Sylejman Sylaj si bashkëshortë, ndërsa Albert Sylaj, i dyshuari për vrasjen, nuk figuron në asnjë shkresë të lëndës.
Më 17 shtator 2026, e ndjera iu drejtua me kërkesë kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, duke pretenduar se gjyqtari kishte vendosur në kundërshtim me ligjin dhe pas afateve. Po atë ditë, kryetari kërkoi sqarim nga gjyqtari dhe mori përgjigje, ndërsa më 20 tetor 2026, me shkresën GJA.nr. 197/26, iu përgjigj të ndjerës duke i sqaruar veprimet e gjykatës.
KGjK-ja hodhi poshtë raportimet se kryesuesi i Këshillit kishte pranuar kërkesë nga e ndjera. Sekretariati konfirmoi me shkrim se deri më 28 tetor 2026 nuk ishte pranuar asnjë kërkesë nga Arlinda Zekaj-Sylaj, pasi u kontrolluan regjistri fizik, Sekretariati dhe posta zyrtare elektronike.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.