Let’s Dance shënon 10 vjet mbështetje për nënat dhe fëmijët në Kosovë
Action for Mothers and Children (AMC) shënoi të mërkurën një dekadë të Let’s Dance, duke mbledhur qindra mbështetës në një mbrëmje me muzikë, vallëzim dhe një komunitet të bashkuar.
Kjo mbrëmje vuri në pah disa nga punët që AMC ka realizuar gjatë 10 viteve të fundit për përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies së familjeve në të gjithë Kosovën. Përmes këtij edicioni u mblodhën më shumë se 40 mijë euro, të cilat do të mbështesin programet e AMC-së për të krijuar mundësi dhe kushte më të mira shëndetësore për më shumë gra, nëna, fëmijë dhe familje.
“Mbrëmja jonë filantropike, e cila prej vitesh ka bashkuar dhe mobilizuar komunitetin për përmirësimin e shëndetit të grave, nënave dhe fëmijëve, sonte po feston dhjetëvjetorin e saj. Edhe Let’s Dance-i ynë, si një valle e gjatë, ka nisur me hapa të vegjël, ashtu si edhe puna e AMC-së. Por ritmi është përshpejtuar me zbatimin e shumë projekteve. Për një dekadë na ka bashkuar i njëjti mision”, Drejtoresha Ekzekutive e AMC-së, Rina Demiri Spahija.
Edicioni jubilar i këtij viti solli muzikë live nga String String dhe performanca të tjera speciale. Mysafirët u mirëpritën në event nga violonçelistja Arzie Jusufi.
Programi zyrtar nisi me dy këngë të interpretuara nga këngëtarja Dalina Haxhiu dhe pianistja Elsa Gashi, të cilat iu bashkuan Let’s Dance 10 përmes bashkëpunimit të AMC-së me Chopin Piano Fest Prishtina. Ndërsa DJ Adrian Berisha vazhdoi të mbajë atmosferën festive gjatë gjithë natës.
Mbrëmja solli gjithashtu kujtime nga fillimet e Let’s Dance dhe vlerësoi kontributin e Michael Gold, Linda Baleta dhe Zana Aqifi, të cilët ndihmuan në krijimin e këtij eventi një dekadë më parë. Të tre u nderuan me Çmimin e Themeluesve të Let’s Dance, në shenjë mirënjohjeje për vizionin e tyre dhe për krijimin e një tradite që vazhdon t’i bashkojë njerëzit në mbështetje të nënave dhe fëmijëve në Kosovë.
Të pranishmit dëgjuan edhe historinë e Blerina Çibukçiu, e cila ndau përvojën e saj për djalin, Darsin, i cili ka lindur para kohe dhe është trajtuar me surfaktant dhe pajisje për presion të vazhdueshëm pozitiv të rrugëve të frymëmarrjes (CPAP), të siguruara përmes programit të AMC-së për ndihmë mjekësore.
“Kur të lindë një fëmijë kaq herët, si prind nuk e di çfarë të pret. Përballesh me frikë, pasiguri dhe shumë pyetje. Por, mbi të gjitha, shpreson që kjo sfidë e madhe me të cilën ka filluar jeta e tij, një ditë të kthehet në fitore. Dhe pikërisht aty ka filluar edhe historia ime me AMC-në, edhe pse unë në atë kohë nuk e dija.
Gjatë kohës sime në spital, mjekët më thoshin:“Darsi është me fat. Pikërisht në këtë periudhë kemi surfaktant të ardhur si donacion nga Amerika.”
Që në atë moment kam ndier një mirënjohje të jashtëzakonshme, pa e ditur se kush e kishte sjellë atë donacion, pa i njohur njerëzit që qëndronin pas tij dhe pa e ditur se një ditë do të kisha mundësinë t’i takoja e t’i falënderoja personalisht”, Blerina Çibukçiu.
Për 10 vjet, Let’s Dance ka bashkuar individë, biznese, partnerë dhe miq të AMC-së rreth një qëllimi të përbashkët: të kontribuojë që nënat dhe fëmijët në Kosovë të kenë qasje në kujdesin shëndetësor dhe mbështetjen që u nevojitet.
Fondet e mbledhura përmes Let’s Dance mbështesin punën e AMC-së në fushat e ndihmës mjekësore, edukimit, avokimit dhe hulumtimit.
Me mbështetjen e partnerëve të rëndësishëm, si Americares, AMC ka shpërndarë miliona dollarë në barna dhe pajisje esenciale për institucionet publike shëndetësore në të gjithë Kosovën. Në mesin e tyre është edhe surfaktanti, një medikament që ka ndihmuar mijëra foshnja të lindura para kohe të marrin frymë.
Bursa James Strickler e AMC-së, e lansuar në fillim të këtij viti, lidh profesionistët shëndetësorë në Kosovë me ekspertë mjekësorë nga Shtetet e Bashkuara, me qëllim forcimin e kujdesit të specializuar dhe zhvillimin e kapaciteteve vendore.
Përfituesi i parë i kësaj burse, Dr. Robert Gensure, endokrinolog pediatrik nga Dartmouth, qëndroi në Prishtinë për të punuar drejtpërdrejt me profesionistët shëndetësorë vendorë dhe vazhdon të ofrojë konsultime virtuale.
Programi Klasat për Nëna u ofron grave shtatzëna dhe prindërve të rinj informacione dhe udhëzime të bazuara në dëshmi, duke mbuluar tema që nga përgatitja për lindje e deri te kujdesi dhe zhvillimi në fëmijërinë e hershme.
Në institucionet shëndetësore, këto sesione zhvillohen nga infermierë dhe mamitë e trajnuara, përmes Dhomave për Edukim dhe Promovim Shëndetësor, në 17 komuna. Programi mbështetet nga AMC.
Programe të tilla bëhen të mundura, pjesërisht, falë bujarisë së individëve, bizneseve dhe partnerëve që bashkohen çdo vit për Let’s Dance.
Suksesi i Let’s Dance 10 u bë i mundur falë mbështetjes të sponsorëve:
Platinum: Crimson Capital
Gold: Banka Ekonomike, Mentor & Michelle Ahmeti, Albi Fashion, Alexander Chapman,
Silver: Agjencioni për Financim në Kosovë, Coca-Cola HBC, Dukagjini RTV, FINCA Kosovo, Sigal Insurance Group Kosova
Bronze: ACIBADEM, BBros, Besa Pharm and Besa Security, BPB, Distrikti Rotarian 2485 Shqipëri-Kosovë, Endrit Çela, Katror Media, KEP Trust, KRK, Limak Kosovo International Airport J.S.C., Meridian Express dhe SPAR Kosova, MKY Treuhandpartner GmbH, Ndërtuesi, NLB Banka, Paysera Kosova, SCAMPA, Theranda Wine.
AMC gjithashtu dëshiron të falënderojë bizneset dhe individët e shumtë që ofruan mbështetje: Birra Peja, Chocolate Corner, VM3, Gekos,Meridian Corporation, Radio Urban FM, Telegrafi, 3CIS, Ujë Rugove, Gjirafa.com, KosovaJob.
Falënderime të veçanta shkojnë edhe për String String, Elsa Gashi, Dalina Haxhiu, Arzie Jusufi dhe Adrian Berisha, për kontributin e tyre artistik në këtë mbrëmje, si dhe për fotografin Rexhep Gashi për dokumentimin e eventit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.