FOKUS – Gjermania nderon NATO-n me Çmimin e Paqes së Vestfalisë për vitin 2026
MYNSTER, 1 tetor /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Friedrich Merz ka mbështetur vendimin për t’i dhënë NATO-s çmimin gjerman për paqen, “Çmimi i Paqes së Vestfalisë 2026”.
“Mund të duket kontradiktore që një aleancë ushtarake të marrë një çmim paqeje, por NATO ka si qëllim mbrojtjen e paqes dhe sigurisë”, tha sot Merz në qytetin perëndimor gjerman të Mynsterit.
Kancelari gjerman Friedrich Merz, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dhe kryeministri i landit të Renanisë Veriore-Vestfalisë, Hendrik Wust, morën pjesë në ceremoninë e ndarjes së Çmimit të Paqes së Vestfalisë 2026, e zhvilluar në Bashkinë Historike të qytetit.
Merz e cilësoi NATO-n si shtyllën kryesore të rendit të paqes në hapësirën euroatlantike gjatë tri brezave.
“NATO mbron lirinë tonë, sigurinë tonë dhe mirëqenien tonë, si dhe kontribuon për paqen në Evropë”, tha kancelari gjerman.
Merz tha se paqja në Evropë po përballet me një kërcënim të politikës agresive të Rusisë për ndryshimin me forcë të rendit aktual, duke theksuar se Gjermania dhe NATO-ja, do të vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën “me të gjitha forcat”.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, mori në emër të aleancës Çmimin Ndërkombëtar të Paqes së Vestfalisë.
Çmimi, me vlerë 100 mijë euro, jepet çdo dy vjet nga Shoqata Ekonomike për Vestfalinë dhe Lipën (WWL). /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.