☀️
Tiranë 24°C · Kthjellët 01 Tetor 2026
S&P 500 7,626 ▼0.33%
DOW 50,629 ▼0.54%
NASDAQ 26,748 ▼0.42%
NAFTA 92.50 ▲2.3%
ARI 4,186 ▼0.02%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1340 EUR/GBP 0.8547 EUR/CHF 0.9469 EUR/ALL 92.0731 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5251 EUR/TRY 55.6258 EUR/JPY 178.36 EUR/CAD 1.6116 EUR/USD 1.1340 EUR/GBP 0.8547 EUR/CHF 0.9469 EUR/ALL 92.0731 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5251 EUR/TRY 55.6258 EUR/JPY 178.36 EUR/CAD 1.6116
₿ CRYPTO
BTC $83,925 ▼ -0.26% ETH $2,678 ▼ -0.19% XRP $1.4825 ▼ -1.3% SOL $117.1800 ▼ -1.62%
S&P 500 7,626 ▼0.33 % DOW 50,629 ▼0.54 % NASDAQ 26,748 ▼0.42 % NAFTA 92.50 ▲2.3 % ARI 4,186 ▼0.02 % S&P 500 7,626 ▼0.33 % DOW 50,629 ▼0.54 % NASDAQ 26,748 ▼0.42 % NAFTA 92.50 ▲2.3 % ARI 4,186 ▼0.02 %
EUR/USD 1.1340 EUR/GBP 0.8547 EUR/CHF 0.9469 EUR/ALL 92.0731 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5251 EUR/TRY 55.6258 EUR/JPY 178.36 EUR/CAD 1.6116 EUR/USD 1.1340 EUR/GBP 0.8547 EUR/CHF 0.9469 EUR/ALL 92.0731 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5251 EUR/TRY 55.6258 EUR/JPY 178.36 EUR/CAD 1.6116
01 Tet 2026
Breaking
Opinion

Publik është arti, jo shtrati i tyre

Ka një keqkuptim të madh në epokën e rrjeteve sociale. Sapo një njeri bëhet i njohur, mendojmë se edhe jeta e tij/saj private bëhet pronë e publikut.

Por nuk është kështu. Nuk duhet të jetë kështu.

Rasti i videove intime që qarkullojnë këto ditë, ku gjenden kompozitori Adrian Hila dhe disa këngëtare, është një rast i mirë për të bërë një debat që shkon përtej personave konkretë. Ku mbaron e drejta e publikut për të ditur dhe ku fillon e drejta e njeriut për të pasur një jetë private?

Paraprakisht lipset të bëjmë një dallim themelor. Të jesh figurë publike nuk do të thotë të jesh njeri pa privatësi.

Adrian Hila dhe këngëtaret në fjalë, janë figura publike për shkak të veprimtarisë së tyre artistike. Publik është arti i tyre, krijimtaria e tyre, aktiviteti profesional, suksesi apo dështimi i tyre artistik.

Mirëpo kjo nuk e bën automatikisht publike edhe jetën e tyre seksuale.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në jurisprudencën e saj, pranon se edhe personat që janë shumë të njohur publikisht kanë një pritshmëri legjitime për mbrojtjen e jetës private.

Në europën e sotme dënohesh rreptë për dhunim të privatësisë. Interesi i publikut nuk është e njëjta gjë me kuriozitetin e publikut.

Publiku mund të jetë jashtëzakonisht kurioz të shohë një video intime të një artisti. Mund të klikojë miliona herë. Mund ta komentojë. Mund ta shpërndajë.

Por numri i madh i njerëzve kuriozë, nuk e shndërron atë (kuriozitetin pra) në interes publik.

Strasburgu e ka thënë në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë se e drejta e publikut për t’u informuar, edhe pse thelbësore në një shoqëri demokratike, nuk mund të reduktohet në etjen e publikut për të ditur hollësi nga jeta private e të tjerëve. Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur bëhet fjalë për intimitetin seksual.

Një fotografi nga një aktivitet publik është një gjë. Një deklaratë publike është një gjë tjetër. Një marrëdhënie sentimentale që një person vendos vetë ta bëjë publike është diçka tjetër.

Por një video seksuale e bërë në një hapësirë private është në thelbin e asaj që neni 8 i Konventës Evropiane e mbron si jetë private.

Gjykata ka theksuar gjithashtu se imazhet mund të përmbajnë informacion jashtëzakonisht personal dhe intim dhe se e drejta për kontrollin e përdorimit të imazhit është pjesë e mbrojtjes së personalitetit.

Këtu shoqëria jonë duhet të bëjë një pyetje jo fort të këndëshme për kuriozitetin masiv:

A kemi të drejtë ta shohim diçka private vetëm sepse dikush tjetër ka pasur mundësi ta nxjerrë atë në internet?

Unë mendoj se ky është thelbi i debatit. Të filmosh veten në intimitet nuk do të thotë të japësh pëlqimin për publikimin e videos.

Pëlqimi për aktin seksual nuk është pëlqim për publikimin e tij.Pëlqimi për regjistrimin nuk është pëlqim për shpërndarjen.

Fakti që një material tashmë është publikuar diku në internet nuk e zhduk të drejtën e personit për privatësi.

Përkundrazi, Strasburgu e ka trajtuar posaçërisht publikimin jokonsensual të imazheve intime si një ndërhyrje në jetën private, me pasoja serioze mbi dinjitetin dhe integritetin personal.

Po media?

Media ka të drejtën dhe detyrën e madhe të informojë publikun.

Por media nuk është thjesht distributor i asaj që publiku dëshiron të shohë.

Ajo është edhe filtër.

Një gazetar profesionist dhe me etikë duhet të pyesë jo “A do ta klikojnë njerëzit?”, por “Çfarë interesi publik përmbush publikimi i kësaj?”

Këto janë dy pyetje krejt të ndryshme.

Nëse videoja provon një korrupsion, një abuzim me detyrën, një konflikt interesi apo një çështje tjetër që prek realisht jetën e komunitetit, atëherë mund të ekzistojë një debat serioz mbi interesin publik.

Por nëse ajo thjesht tregon se me kë dhe si ka kryer marrëdhënie seksuale një artist, atëherë kemi shumë më tepër kuriozitet publik sesa interes publik.

Ky është debati pra. Nuk mjafton argumenti “Janë figura publike.”

Figura publike nuk është një status që i heq njeriut privatësinë.

Është një status që mund të zgjerojë hapësirën e kritikës dhe të interesit publik për atë që lidhet me veprimtarinë publike të personit.

Jetojmë padyshim në kohë të vështira për privatësinë. Po krijojmë një shoqëri ku teknologjia po e zhduk gjithnjë e më shumë kufirin midis asaj që është private dhe asaj që bëhet publike.

Një telefon mund të regjistrojë gjithçka.

Një person mund të kopjojë gjithçka.

Një aplikacion mund të shpërndajë gjithçka.

Dhe një turmë virtuale mund ta shohë gjithçka.

Por mundësia teknike për të parë diçka nuk krijon një të drejtë morale apo juridike për ta parë.

Kjo është një pikë që duhet ta kuptojmë.

Sot janë videot intime të një artisti. Nesër mund të jetë fotografia intime e dikujt tjetër. Pasnesër mund të jetë një bisedë private.

Dhe nëse pranojmë parimin se “nëse është bërë publike, atëherë publiku ka të drejtë ta shohë”, kemi shkatërruar në thelb konceptin e privatësisë.

Privatësia ekziston pikërisht për të mbrojtur atë që individi nuk ia ka dhënë publikut. Përndryshe edhe seksi do bëhej hapur…

Por që ta mbyll me artistët e videove, them se publik është arti, jo shtrati i tyre.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.