Lirimi i Lul Berishës, arrestohet drejtori i burgut; në kërkim juristi
Prokuroria e Durrësit kërkoi arrestimin e drejtorit dhe juristit të burgut të këtij qyteti për shkak të veprimeve të ndërmarra prej tyre për lirimin e personazhit të njohur të botës së krimit, Lulzim Berisha.
Policia ekzekutoi në mbrëmje urdhër-arrestin për drejtorin Astrit Kotaj, ndërsa juristi i burgut, 24-vjeçari me inicialet T.L, është shpallur në kërkim.
Urdhëri i prokurorisë vjen në vijim të hetimit për lirimin me kusht të të dënuarit Berisha. Dy zyrtarët akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumentave për rastin e kreut të bandës së Durrësit.
Prokuroria thotë se nga shqyrtimi i dosjes së Lul Berishës, drejtori dhe juristi llogaritën në mënyrë të jashtëligjshme kohën e qëndrimit të tij në burg.
Sipas organit të akuzës, Lulzim Berisha duhej të kryente edhe 2 vjet e 7 muaj burg përpara se të përfitonte nga parashikimet ligjore për lirinë me kusht.
Krahas këtyre dy shtetasve, hetimet po vijojnë për gjetjen e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë çështje.
Në mbrëmje vonë reagoi edhe avokati i Astrit Kotaj, i cili thotë se arresti me burg ka prapavijë të qartë politike dhe i shërben qarqeve të caktuara. Sipas Ahmet Cani, arrestimi është i paligjshëm, pasi thotë se nuk është detyra e tij funksionale sipas ligjit dhe rregullores së brendshme që të ndjekë dinanimikën e vuajtjes së dënimit të të burgosurve.
Avokati Kotaj thotë se Lulzim Berisha është liruar në absurd nga Gjykata dhe Prokuroria që ka pasur detyrën e verifikimit të uljes së viteve të dënimit.
Disa ditë më parë Prokuroria e Përgjithshme lajmëroi nisjen e hetimit për ligjshmërinë e vendimeve që çuan në uljen e më pas lirimin nga burgu të Berishës.
Sipas prokurorisë, ai përfitoi nga amnistia e vitit 2012, por edhe nga një sërë vendimesh nga gjyqtarë të Gjykatës së Durrësit, për përfitim të uljes së dënimit, të amnistisë, si dhe ndryshimin e vendit të vuajtjes së dënimit nga burgu i sigurisë së lartë në atë të zakonshëm.
Prokuroria do hetojë edhe Bashkinë e Durrësit për garantimin e punësimit. Këtë e kërkoi edhe Partia Demokratike, ndërsa vetë kryebashkiaku Dako e cilësoi si procedurë rutinë.