LIVE-Rama: KE i jep Shqipërisë rekomandimin historik, në vitin 2027 nisin përgatitjet për traktatin e anëtarësimit në BE
Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, është ndalur te raporti i fundit i Komisionit Europian për zgjerimin, duke e cilësuar rekomandimin për Shqipërinë si historik.
Rama tha se në raportin e fundit të KE-së është përfshirë një formulim që, sipas tij, nuk ka marrë vëmendjen e duhur, pavarësisht rëndësisë që ka për procesin e integrimit europian të vendit.
Kreu i qeverisë iu referua rekomandimit që Shqipëria të nisë gjatë vitit 2027 përgatitjet për hartimin e traktatit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“KE ka bërë një rekomandim historik për Shqipërinë. Jo vetëm që vendi ecën në rrugën e duhur si shtet dhe drejt BE-së, por i rekomandohet Shqipërisë që gjatë vitit 2027 të nisë përgatitjet për të hartuar traktatin e anëtarësimit në BE”, u shpreh Rama.
Ai e përshkroi këtë zhvillim si një moment të ri për procesin europian të Shqipërisë, duke thënë se anëtarësimi, që deri dje dukej si një perspektivë e largët, sot është më i prekshëm.
“Sot Europa është e prekshme në sy, përmes vetë gishtit të KE-së, që tregon se ky është momenti për ta bërë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian”, deklaroi kryeministri.
Gjatë fjalës së tij, Rama komentoi edhe klimën politike në vend, duke pretenduar se Shqipëria po përballet me presion dhe instrumentalizim politik të çështjes së arsimit, si dhe me protesta dhe atë që ai e cilësoi si ofensivë dhune kundër qeverisë.
Kryeministri argumentoi se këto zhvillime, sipas tij, nuk duhet të lënë në hije vlerësimin e Komisionit Europian për ecurinë e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.