Luan Rama: Balilin s’e mbron LSI-ja. Ja pse u thirr KSK
Kryetari i Kuvendit dhe i LSI-së, Ilir Meta kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për çështjen “Balili” pasi, siç tha Luan Rama, ka një mungesë koordinimi mes institucioneve të sigurisë për ndalimin e tij.
Në vijim të fjalës në Top Story, Rama veç kësaj përmendi edhe kërkesën amerikane drejtuar Metës.
“Ka një mungesë funksionimi në koordinimin e institucioneve të sigurisë që bënë që sot personi në fjalë të mos jetë para institucioneve të drejtësisë. Metës i është kërkuar zyrtarisht në SHBA që të ndikojë që institucionet e sigurisë të përshpejtojnë ritmin për kapjen e këtij individi dhe për të dëshmuar që shteti është më i fortë. Këtë Meta ja kërkon kryetarit të shtetit përmes Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të analizuar këtë gjë”, u shpreh Rama.
Kreu i grupit parlamentar të LSI-së shkoi edhe më tej, kur foli për elementë brenda strukturave shtetërore që mbrojnë Balilin.
“Brenda strukturave të shtetit në përgjithësi dhe brenda strukturave të Policisë së Shtetit në veçanti, po ashtu të prokurorisë, është ndihmuar Balili”, tha ai.
Luan Rama hodhi poshtë disa akuza se Balilin e mbron LSI-ja.
“Është shprehja më tipike e gjykimit mbi bazat e biografisë së regjimit. Ai është individ dhe përgjigjet si i tillë. Ka qenë një alibi që thotë se nuk arrestohet Balili se e mbron LSI. LSI nuk mbron askënd. Për shkak të LSI-së nuk është i imunizuar askush në këtë vend nëse shkel ligjin”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të LSI-së.