LUKSEMBURG – BE zhbllokon 4,2 miliardë euro për Hungarinë pas reformave kundër korrupsionit
Vendimi u miratua sot në një takim të ministrave përgjegjës për çështjet evropiane në Luksemburg.
“Një kapitull i ri nis sot. Për Hungarinë dhe për Evropën”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas miratimit të vendimit. Zhbllokimi i fondeve vjen pas reformave të ndërmarra nga qeveria e re e kryeministrit Péter Magyar, i cili mori detyrën në maj.
Sipas Komisionit Evropian, Hungaria ka bërë përparime në adresimin e mangësive në prokurimet publike dhe në luftën kundër korrupsionit.
Komisioneri evropian për Drejtësinë, Michael McGrath, vlerësoi se qeveria e re ka shënuar përparim të rëndësishëm në rivendosjen e shtetit të së drejtës dhe në ndryshimin e disa vendimeve të qeverisë së mëparshme.
McGrath theksoi se respektimi i shtetit të së drejtës është një kusht thelbësor për përfitimin e fondeve të Bashkimit Evropian. Çështjet që lidhen me korrupsionin dhe funksionimin e institucioneve kishin qenë prej kohësh në qendër të mosmarrëveshjeve mes Brukselit dhe qeverisë së Orbanit.
Shuma prej 4,2 miliardë eurosh është pjesë e rreth 20 miliardë eurove që ishin ngrirë gjatë qeverisjes së mëparshme dhe synon të mbështesë rajonet ekonomikisht më të pafavorizuara të Hungarisë.
Në maj, Komisioni Evropian kishte bërë të ditur se ishte i gatshëm të zhbllokonte gjithsej 16,4 miliardë euro, në varësi të zbatimit të suksesshëm të reformave.
Përveç shumës së miratuar, rreth 10 miliardë euro të tjera parashikohet të vijnë nga fondi i rimëkëmbjes së BE-së pas pandemisë COVID-19.
Ndërkohë, Hungaria ka premtuar reforma edhe në fushën e lirisë akademike, të cilat mund t’i mundësojnë vendit të përfitojë edhe 2,2 miliardë euro të tjera. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.