Farage mbron propozimin që të përdoret forcë vdekjeprurëse kundër migrantëve të parregullt
Lideri i partisë britanike Reform UK, Nigel Farage, ka mbrojtur propozimin që Marina Mbretërore të lejohet të përdorë forcë vdekjeprurëse kundër migrantëve të parregullt që tentojnë të kalojnë Kanalin Anglez.
Farage përsëriti qëndrimin e shprehur më herët nga zëdhënësi i partisë për çështjet ekonomike, Robert Jenrick, i cili deklaroi se efektivët detarë mund të përdorin forcë vdekjeprurëse kur kjo të konsiderohet e nevojshme.
Propozimi ka shkaktuar reagime të ashpra nga kundërshtarët politikë. Ministri britanik i Mbrojtjes, Luke Pollard, e cilësoi planin si “të neveritshëm dhe të paligjshëm”, duke theksuar se forcat e armatosura nuk mund të zbatojnë urdhra të paligjshëm dhe nuk mund të qëllojnë ndaj civilëve të paarmatosur.
Duke folur për radion LBC, Farage argumentoi se çdo pjesëtar i forcave të armatosura britanike që ndodhet nën zjarr ka të drejtë të kundërpërgjigjet. Ai pretendoi gjithashtu se në kampet e migrantëve ndodhin çdo javë incidente me armë zjarri dhe sulme me thikë, duke i cilësuar organizatat që lehtësojnë kalimet e paligjshme si grupe serioze kriminale ndërkombëtare.
Plani i Reform UK, i njohur si “Operacioni Fortress”, u bë publik në gusht dhe parashikon kapjen e mjeteve lundruese të vogla që transportojnë migrantë drejt Britanisë. Dokumenti përcakton se përdorimi i forcës vdekjeprurëse do të lejohet vetëm kur është i ligjshëm dhe i nevojshëm për vetëmbrojtje ose për të mbrojtur të tjerët nga një kërcënim i menjëhershëm ndaj jetës.
Ndërkohë, Farage ka deklaruar se, në rast se partia e tij vjen në pushtet, synon të pezullojë për pesë vjet sistemin britanik të azilit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.