Madame Bovary, ose arti si mjet tradhtie ndaj femrës
Nga Jon LEKA
Ajo shkaktoi shembjen e Trojës. Ajo nuk i rezistoi demonit-gjarpër, bloi me dhëmbë mollën e ndaluar dhe tradhtoi specien e arsyes me vulën e mëkatarit të përjetshëm. Ajo për shekuj ishte fuçia ku konservoheshin të ligat, ishte shtabi mobil i djallit nga ku shkapërdaheshin dhembjet në kurriz, në kokë e mushkëri e veçanërisht në trurin e inkuizicionit – këtij përbindëshi gjigant që nuk rigjallërohej dot pa mitin e shtrigës. Asaj iu hoq koka në gijotinë sapo kërkoi të drejtat e njëjta për femrën si për mashkullin. Femra, prej antike e deri në mesjetën e vonshme, nuk ishte sinonimi i tij, por vetë ai: Luciferi! Paradoks? Pse djalli, mashkull në të gjitha gjuhët e mundshme, të shfaqet si femër? Ndoshta se ndryshe nuk konstruktohej si shtrigë? Jo vetëm. Kabineteve të meshkujve, atyre arkitektëve të mendësive nëpër epoka, u duhej një fajtorgardian, një xanxar, një qenie kolosale për nga enigmat, u duhej një rezervat sa universi i gjerë, i thellë dhe i durueshëm për ta funksionalizuar në depo të gjitha të këqijave të kësaj bote; natyrisht për ato që i bënin vetë – dhe femrën e konsideronin më të përshtatshmin subjekt për këtë. Dhe ja dikur, sikur sferat u mbushën plot muzikë edhe për gjininë e shkelur. Kontinenti sikur u hap për këngët e reja orfike femërore kundër trogloditëve shpellarë të Herodotit, Strabonit dhe Hannos. Shekulli 17 është epoka kur humaniteti u përball me sinjalet e para, rezistencën faktike të “qenies naive, të thyeshme, labile e të falur nga perënditë vetëm si fabrikë riprodhimi e vegjetimi”. Ajo merr në dorë pikërisht atë që më së paku e priste zylyfgjati impotent me parukë në kokë: ajo kap Brushën. Artin! Artemisia Gentilleshi (1593-1653), femra seksualisht e dhunuar nga mësuesi i saj, piktori Agostino Tassi trand botën me pikturat e saja edhe më baroke, edhe më mjeshtërore, më madhështore se ato të idolit të saj Caravaggio. Mikja personale e Galileo Galileit bëhet piktorja më e njohur globalisht – saqë edhe vetë kisha, mbretërit bashkë me kolonitë e tyre të gurta primitive-patriarkale porosisin piktura tek ajo. Femra dinë pra të bëjë art, madje edhe më mirë se mashkulli. Shoku kulturor, shpifjet dhe aversioni ndaj piktores është histori voluminoze në vete!
Konteksti
Sapo shuhet Gentilleshi, një femër tjetër përlan sallonet universale letrare. Aristokratja dhe shkrimtarja franceze Marie-Madeleine de La Fayette (1634-1693) vjen me romanin anonim “Princesha nga Kleva” (1678) – vepra konsiderohet si romani më i mirë francez i shekullit 17. Gjersa veprat paraprake (si “Princesha nga Montpensier”) shtjellojnë rëniet, ngjitjet olimpike erosit dhe kafazimet që rezultojnë seancat e intrigat jashtëmartesore, “Princesha nga Kleva” është rrëfim kryekëput psikologjik që aludon në transparencë dhe barazi në nivelin e komunikimit ose përkthyer konkretisht: nëse je i/e dashuruar në një tjetër thuaje, çlirohu dhe jeto. Romani për herë të parë shfaq letrarisht perspektivën e femrës si e sheh ajo botën, jetën, temat sociale dhe si: natyrisht – me një inteligjencë emocionale shumë më të mprehur se kolegët e saj “burra”. Dhe assesi vetëm kaq. Po në të njëjtën kohë, nga Londra, më thershëm, më drejtpërdrejt, akuzueshëm, pa pardon, rrokullisen e shpojnë eterin intelektual të kohës pjesët teatrale të shkrimtares, spiunes dhe feministes Aphra Behn (1640 – 1689). Porsa vihet në skenë pjesa “The forced Marriage” (1670), shoqëria aristokrate e sidomos ajo monarke ngacmohet e reagon vrazhdë ngase i shkulet me dhunë dhe ortekshëm njëra nga shtyllat e sistemit tradicional mbi të cilën ndërtonte gjithë diplomacinë. Përveç kësaj, opinioni shtanget kur sheh se edhe gratë mund të jenë aktore të suksesshme në skenë. E mesazhi “martesa për shkak të pasurisë është një formë e prostitucionit” krijon brigada grash në revoltë e burrash që ndihen të tradhtuar, të denoncuar, pa maska. Marie Gauze (1748 -1793), alias Olimp de Gouges në vitin 1785 i dorëzon drejtorisë së “Comédie française” pjesën teatrale “Zamore dhe Mirza”. Katër vite me radhë shkrimtarja dhe revolucionarja bëhet banore sporadike e “Bastille”-s, difamohet, ndiqet, bëhet shenjë sulmi e gjithë efebëve orestianë të Parisit ngaqë nëpërmjet dashurisë, femrës, feministes kërkon shporrjen e skllavërimit kolonive franceze. Më 1789-n i vihet vepra në skenë dhe hap, inicion debatin e relacionit skllavërim-etikë dhe të drejta të njeriut që as sot e kësaj dite nuk ka përfunduar. Jane Austin (1775-1817), britanikja nga dera e priftërinjve, boton me firmën “by a Lady” romanet epokale, realiste, stilistikisht të paarritshme deri në fillim të shekullit 20 si “Sense and Sensibility” (1811), “Pride and Prejudice” (1813), “Emma” (1816), “Persuasion” (1817), vepra, të cilat në epiqendër botëkonstituojnë himnin e idealeve të lirisë së femrës, përshkruajnë gjendjen fatale e njëkohësisht shpresën festive të njerëzores drejt harmonizimit jo vetëm të gjinive, por të gjitha pluripoleve të acaruara ndër veti. Romanet e Austin janë korpusi më komplet letrar mbi interaksionet njerëzore, kategoritë sociale, efektet dhe afektet e shekullit 19 e më vonë. Kësaj ia del Austin, ngase arrin më mirë se çdo autor/autore tjetër (e sidomos më mirë se kritikët e saj të ashpër më vonë Charlotte Brontë dhe Mark Twain) ta ekspozojë jo vetëm operimin konkret, rezultatin e sjelljes së njeriut, por shpalos mrekullueshëm paraprakisht gropat shpirtërore, kauzale, frymore që e detyrojnë atë të sillet siç vepron: ajo studion ndjenjat, paragjykimet, mënyrën e komunikimit, perceptimet, krenarinë, konceptet, mendësinë para se të nisë vizatimin e karaktereve, roleve të socialitetit. Këtij aksioni të paprogramuar i bashkëngjitet edhe Marie Godwin – Shelley (1797-1851). Nëna e gjinisë fantastike në letërsi (“Frankeshtajni ose Prometeu modern” 1818) bënë copë tabutë që koha nuk i gëlltiste dot. Te “Matilda” (1819, të censuruar pastaj deri më 1915-n) përshkruan incestin aq të përhapur të etërve me bijat; në “Valperga” (1823) rrëfen nëpërmjet historisë reale historike të Castruccio Castracon-it botën e lezbikeve. Në asistencë Shelley-t i vjen edhe Charlote Brontë me romanin autobiografik të saj “Jane Eyre” (1847), në të cilin apeli është i qartë: njeriu (femra) duhet të bëjë çmos për ta siguruar mëvetësinë, lirinë e tij, pavarësisht çmimit. Dy shkrimtaret e fundit (e sidomos Shelley) ia flakin koleges së saj Marie de la Fayette tezën se qenka më mirë “të ruash shpirtin e pastër sesa të provosh kënaqësitë e kësaj bote“, pra më mirë të mos tradhtosh e të rrish afër koftorit dhe si skllave e burrit sesa të kërkosh lirinë siç e kanë partnerët meshkuj. Këtë e kupton drejtë Madame Bovary dhe e provon!
Gustave Flaubert dhe Emma
Charles Bovary martohet me zor me vejushën Dubuc, tek e cila prindit e tij supozojnë kapital të madh. Natyrisht pa dashuri dhe konform kohës. Kur i ati i ish-murgeshës Emma Bovary, zoti Rouaults thyen këmbën dhe trajtohet nga Charles, dashurohet ky i fundit, mjeku me bijën e bujkut. E shoqja e Charles-it vdes e tmerruar nga skenat dramatike që i nxit vetë. Hapet rruga dhe dy të dashuruarit martohen. Dhe ja që nga nata e parë: “pas martesës Charles u bë një njeri krejt tjetër” (I, IV) konstaton nusja Bovary. Që këtej Emma-s fillon t’i plasë parasysh pasqyra romantike që e ka ndërtuar me dromcat e përpira nga literatura që e lexonte ilegalisht në manastirin ku shërbente si murgeshë. Disa herë ndërrojnë shtëpi e shoqëri. Charles vjen duke u bërë i mërzitshëm, pa sens ose siç thotë Emma për bisedat e tij, të jenë “plate comme un trottoir de rue” (I. VII). Përkundër faktit se Charles punon ditë-natë për t’ia përmbushur kërkesat zonjës së tij, Emma shpejt frustrohet, sëmuret, vegjeton, e konsideron jetën dramë dhe fatin të padrejtë. Nga kjo gjendje pasive ajo sheh vetëm një shpëtim: çlirimin, ikjen, shpërthimin nga kthetrat stupide, të ngurta, primitive të konventave të rrejshme morale të kohës. Si kompensim improvizon jetën luksoze, si konsumuese pa para te grykësi kapitalist Lhereux. Nis eskapadat orgjike, seksuale fillimisht me kapitalistin shpirtakull Rodolphe Boulanger dhe pastaj me pseudopoetin, burokratin Léon Dupuis. As me njërin as me tjetrin nuk nis dot atë jetë që e ëndërron, pasi që të dy janë shfrytëzues ordinerë të dashurisë, ndjenjave dhe dinjitetit të zonjës Bovary. Si shpërblim ajo, e harxhuar, pa rrugëdalje në aspektin financiar vetëhelmohet dhe vdes.
Interpretimi
Jo si në romanet paraprake, të përkthyer në shumicën e gjuhëve të Oksidentit plak, që përbëjnë spiralen e ndërtimit të dinjitetit të gruas edhe si figurë letrare, në art, në profesion, në dashuri, jo duke sipërfaqësuar shkeljet brutale të femrës si bijë, grua, jo ashtu, ndryshe, Gustave Flaubert (1821-1880) i bie me shpatë në mes këtij metarrëfimi duke e dënuar me helmim Emma Bovary-në si viktimë të pasioneve të saja që në thelb kanë tradhtinë ndaj burrit që punon natë e ditë për t’ia plotësuar dëshirat e jetës. E tradhtia nuk lejon fabrikimin e lirisë, përkundrazi ajo multiplikon tradhtinë (e Leon-it dhe Rodolph-it) e të tjerëve jo vetëm ndaj burrit, vetes por edhe ndaj fëmijës, Bertas. Flaubert nga kritika e kohës e deri sot konsiderohet si klasiku, themeluesi i realizmit në letërsi. Për shkak të neutralitetit të autorit në rrëfim e sipër dhe gjuhës gati pseudoshkencore? A mjafton vetëm qëndrimi indiferent dhe imagjinar i autorit, si dhe “fabula” e huazuar nga një ngjarje e vërtetë e raportuar në gazetën “Journal de Rouen” (1848) mbi vetëvrasjen e Dephine Delamare për ta shpallur romanin “Madame Bovary” romanin e parë realist? Sidomos kur kemi parasysh romanet historike të autoreve të mëhershme; kur kemi parasysh pjesët teatrale që vënë dukuritë ahumane zhveshur në skenë; kur kemi parasysh se – këtë e dokumentojnë të gjitha studimet historiko-antropologjike të kohës – jo gruaja ishte faktor destruksioni moral (e skllavëruar skajshëm), por vizitori i pufeve, Leonët, Rodolph-ët, Casanova-t “heroikë”. Pse Flaubert nuk e çliron Emma-n nga konvencionet dhe ta lërë të triumfojë e të mos vdesë ose të vdesë kur i vjen dita, pasi ta ketë çliruar veten? Pse çlirimi erotik, seksual i femrës të jetë apriori orgji, pornografi, amoral e perversiteti i mashkullit jo vetëm seksualisht, por në çdo sferë të mos përbëjë kryetemën? Pse gruaja të hiqet zvarrë, të përgjaket kapitujve të imagjinatës e realitetit me këtë barrë morale e mashkulli jo? Për më tepër kur shablloni i burrit viktimë dhe gruas së përdalë nuk është realist aspak, por më shumë një protokoll gazete i letrarizuar paçka për të kritikuar jetën e sëmurë borgjeze të kohës, por pse me femrën si burim të shthurjes, po si ajo Medea e Ovidit që sapo sheh Jasonin e kap epshi aq tërbueshëm saqë ia përdhos, amokon arsyen, lojalitetin, të atin, atdheun e gjithçka të shtrenjtë për njeriun në këtë tokë.
Arti i Gijotinës
Në fakt, që me sjelljen e shkrimtares Olymp de Gouges në gijotinë, për shkak të manifestit të saj (“Manifesti i të drejtave të femrës” (1791), dy vjet pas shpalljes së “Kartës së të drejtave të njeriut dhe qytetarit” më 26 gusht 1789, asaj karte pra që piktori Jacques- François Le Barbier i vuri dy gra anash (njëra simbolizon Francën e tjetra drejtësinë, ligjin dhe barazinë) imponohet si cezurë dhe dëshmi se asnjë e drejtë njerëzore ende nuk vlente edhe për femrën. Kësaj vije do t’i ketë ecur pas edhe Flaubert-i kur viktimizon aq tragjikisht Madame Bovary-në në kritikën e tij drejtuar shoqërisë, e sa për realist nuk është aspak. Megjithatë romani i tij është në listën e klasikëve të letërsisë botërore e jo ai “Kujtimet e zonjës Valmont” ku kritikon ashpër qasjen e shoqërisë ndaj nënave të pamartuara dhe fëmijëve të tyre “bastardë” apo ndonjë roman i Aphra Behn-it ose Austin-it që realizimin e Flaubertit e spostojnë për ca shekuj para tyre.
Kjo formë perceptimi e gruas në letërsi vazhdon edhe sot.
Pra asgjë nuk është histori; keqpërdorimi i artit si mjet tradhtie kundër femrës vazhdon edhe sot. Ende vazhdon të jetë bestseller rrëfimi kot fare, romani doracak pseudoshamanist “Pabesia” (2014, lexuar gjermanisht) i Paolo Coelho-s, ai që atë e portreton po si Helenën, Bovarinë apo Olimpen e shtrirë në gijotinë. Linda gazetare (karikaturë e shëmtuar e Emma-s), 31 vjeçe në Gjenevën e shek. 21 patjetër të prostituohet natë e ditë para se të shpëtohet nga një guru-idiot e të braktisë jetën “destruktive” të orgjive. Sugjerimi historik siç po shihet se gruaja mbetet shtriga kundër çdo morali vazhdon. Fatkeqësisht jo vetëm në arte, por edhe në politikë. Ose siç tha kryeinjoranti i konservativëve francezë, Nicolas Sarkozy, për romanin e Madeleine de la Fayette, “Princesha nga Kleve”, kur atë e lexuan gjashtë orë me zë akademikët francezë në shenjë proteste kundër politikës ndaj arsimit: “Romane të tilla lexojnë vetëm sadistët dhe imbicilët” (23.02.2007). Flaubert, në kontekst me femrën, atëherë e sot ishte unus ex multis – Gijotina vazhdon të presë koka Bovary-sh, edhe në art po ashtu, aty ku s’duhej aspak!
Marrë nga revistasaras.al