MADRID – Sanchez: Një qeveri e konservatorëve me të djathtën ekstreme do ta kthente Spanjën 50 vjet pas
– Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez është shprehur i bindur se Partia Socialiste mund të sigurojë një shumicë parlamentare progresiste më të gjerë në zgjedhjet e përgjithshme të 29 nëntorit, pavarësisht sondazheve që e vendosin atë pas opozitës konservatore.
Në një intervistë për gazetën spanjolle “El País”, Sanchez e përmblodhi garën zgjedhore me fjalët: “Ose ecën përpara e shkuara, ose ecën përpara Spanja”.
Ai paralajmëroi se një qeveri e përbërë nga Partia Popullore (PP) dhe partia e ekstremit të djathtë “Vox” do të përbënte, sipas tij, një kthim pas, në të drejtat e fituara gjatë dekadave të fundit, veçanërisht për çështje si aborti dhe e drejta për një vdekje dinjitoze.
Sanchez e cilësoi një qeveri të tillë, jo si një ndryshim të zakonshëm politik, por si një kthim prapa – me 40 deri në 50 vjet.
Ai akuzoi gjithashtu konservatorët se synojnë të kufizojnë disa të drejta dhe liri.
Një nga çështjet kryesore të fushatës është kriza e strehimit.
Sanchez tha se, nëse parlamenti nuk arrin të miratojë masa për të zgjidhur problemin e banesave, zgjedhjet duhet të sjellin një shumicë më të gjerë, që të mundësojë politika më të forta për strehimin e përballueshëm.
Kryeministri mbrojti politikat e qeverisë së tij në këtë fushë, duke deklaruar se buxheti për strehimin është rritur tetëfish dhe se gjatë mandatit të tij, janë ndërtuar rreth një milion banesa, 13% e të cilave janë banesa sociale ose të mbrojtura.
Ai kritikoi gjithashtu Partinë Popullore, “Vox” dhe “Junts” për bllokimin në parlament të disa masave të propozuara nga qeveria.
Sa i përket sistemit të pensioneve, Sanchez siguroi se financat e tij janë të qëndrueshme.
Ai argumentoi se rritja e pagës minimale dhe e punësimit kanë ndihmuar në forcimin e sistemit publik.
Kryeministri u ndal edhe te protestat e fundit për koston e jetesës dhe vështirësitë për të përballuar çmimet e banesave.
Ai tha se demonstratat dhe grevat, nuk duhen parë domosdoshmërisht si veprime kundër qeverisë, por si kërkesa ndaj të gjitha institucioneve për të gjetur zgjidhje.
Sanchez synon të fitojë një mandat tjetër katërvjeçar dhe shprehu bindjen se qytetarët do të mobilizohen për të mbështetur vazhdimin e politikave progresiste. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.