Mafia shfrytëzon dallimet në legjislacionin brenda BE-së
Bashkëveprimi ndërkombëtar në shkallë të gjerë ndaj mafias në BE çoi në arrestimin e mbi 80 të dyshuarve si anëtarë të Ndrangheta-s. Por lufta ndaj mafies kërkon bashkëpunim më të thellë, komenton Tomasz Bielecki për DW.
Për dekada me radhë, grupet mafioze kanë emigruar në vende të tjera të BE-së për t’i fshehur anëtarët e tyre nga sistemi i drejtësisë së Italisë, si dhe për të kërkuar rrugët e kontrabandës (kryesisht për drogë) dhe për të pastruar paratë e tyre përmes investimeve në biznese legjitime. Vendet me ekonomitë më të forta janë bërë destinacionet më fitimprurëse për investime të tilla.
Që në fillim të viteve 1970, të ardhurat nga shantazhet dhe rrëmbimet e rrjetit të mafias ‘Ndrangheta‘ në Kalabri kaluan në Zvicër dhe në Gjermaninë Perëndimore. Më shumë para qakulloi kur familja filloi ta shtrinte performancën e Cosa Nostras së Sicilisë në biznesin e drogës në vitet 1980.
Anëtarët e Ndranghetas jashtë Italisë nuk janë gangsterët kolerikë që ngrehin pistoletat duke ngrënë spageti: Ata nuk janë as mafiozët e njohur nga filmat e Hollywood-it. Në shumicën e rasteve, ata janë biznesmenë të veshur me kostume e kravata, që përpiqen të mos bien në sy. Përveç incidenteve të rralla, të tilla si një masakër në Duisburg në vitin 2007, ku gjashtë vetë u vranë gjatë një sulmi para një picerie, ata nuk ndërmarrin aksione për t’u ngjallur frikën fqinjëve të tyre.
Dhe, megjithëse policia italiane ka filluar t‘i dekodojë sinjalet e familjes (për shembull, kur Ndrangheta do t’i promovojë në mënyrë subtile mafiozët në komunitetet lokale duke u caktuar atyre pozicione të caktuara në procesionet fetare), policia në vendet e tjera shpesh është e pavetëdijshme për një komunikim të tillë. Kjo u kuptua disa vite më parë, se si Ndrangheta kishte qenë shumë aktive në biznesin e shitjes së luleve holandeze për dy dekada pa u vërejtur nga askush, madje as nga policia lokale.
Këto boshllëqe në zbatimin e ligjit bëjnë të qartë, se përse mafiozët italian shpesh preferojnë t‘i pastrojnë paratë e tyre jashtë vendit. Të mbështetur nga juristë, pjestarët e mafias xhonglojnë me zhdërvjelltësi duke përfituar prej dallimeve mes sistemeve ligjore të vendeve të ndryshme të BE-së. Italia është i vetmi shtet në Bashkimin Europian, në të cilin përkatësia në një organizatë mafioze konsiderohet si krim. Kriminalizimi i anëtarësimit ka qenë një ndihmë e madhe në ndjekjen e mafias siciliane. Disa vende të BE-së nuk kanë asnjë rregullore për të ndjekur rrjete të tilla kriminale. Gjermania dhe Holanda kanë një legjislacion të tillë, por ligjet e tyre konsiderohen shumë të buta krahasuar me ato italiane.
Disa vjet më parë, përfaqësuesit e Europol-it bënë thirrje për rregulla të reja, që do të penalizonin anëtarësimin në organizatat e tipit mafioz. Por megjithatë, harmonizimi i plotë i legjislacionit anti-mafia në nivelin e BE-së nuk mund të realizohet shpejt, pasi kjo prek një çështje shumë të ndjeshme: mbrojtjen e të drejtave civile.
Kjo është arsyeja se përse është më e lehtë të mbyllen rrugët e drogës, sesa të zbulohen investimet e Ndranghetas në pasuri të paluajtshme, në tenderat publike dhe private, shërbimet publike, deponimin e mbeturinave dhe në energjitë e rinovueshme. Kjo nuk do të thotë se nuk ka hapësirë për të bërë hapa më të vegjël, siç kërkohet në rezolutat e Parlamentit Europian, si për vënien nën kontroll të fitimeve nga paratë e pastruara, apo edhe priorizimin e kërkesave për ekstradimin e mafiozëve të arratisur.
Parimi themelor i BE-së për qarkullimin e të lirë të kapitalit dhe lëvizjen e lirë të personave, e bën më të lehtë investimin e parave të paligjshme brenda dy ditëve. Kjo është arsyeja pse procedurat hetimore në Bashkimin Evropian duhet të përshpejtohen. Operacioni mbresëlënës Pollino, i cili çoi në arrestimet e së mërkurës (5.12), nxjerr në pah, që ndryshimet në disa agjenci të BE (lidhur me bashkëpunimin në polici dhe drejtësi) kanë qenë të frytshme.
Por Bashkimi Europian në përgjithësi duhet të nxitojë për t’i bërë ballë krimit ndërkombëtar. Ndrangheta tashmë është zgjeruar në Evropën Qendrore dhe Lindore, ku – siç shkruante gazetari sllovak Jan Kuciak – i vrarë shkurtin e kaluar – mund të jetë duke u përpjekur të fitojë akses në fondet e BE.