Manafort shqetëson Trumpin, pakt fajësie me prokurorët?
Negociatat për paktin e fajësisë lidhen me një set tjetër prej 7 akuzash, përfshi këtu komplot, pengim të drejtësisë, pastrim parash, deklarata të rreme dhe shkelje të ligjit për deklarimin e lobimit.
Gjithsesi, nuk është ende e qartë se për cilat akuza Manafort do të pranojë fajësinë, apo nëse ai do të bashkëpunojë me ekipin e Muellerit në hetimin e tij mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, bashkëpunimin e mundshëm me drejtues të fushatës së Trumpit, apo pengimin e drejtësisë nga shefi i Shtëpisë së Bardhë.
Gjyqi ndaj Manafortit mbi këtë set të dytë akuzash pritet të zhvillohet të hënën në gjykatën e Uashingtonit. Ndërsa seanca dëgjimore, e cila ishte programuar më herët por u shty për këtë javë, parashikohet të zhvillohet sot.
Një juri nga Virxhinia e Veriut e dënoi Manafortin muajin e kaluar mbi 8 akuza për mashtrim financiar bazuar kryesisht mbi të njëjtat prova që prokurorët planifikojnë të prezantojnë edhe në gjyqin e dytë. Ai mund të përballet tashmë me një trupë gjykatësish më liberalë në Uashington, krahasuar me gjyqin e parë në Alexandria të Virxhinias.
Një marrëveshje fajësie nga Manafort do të ishte tronditja e radhës për presidentin, i cili duket gjithnjë e më i izoluar dhe mosbesues ndaj njerëzve të rrethit të tij më të afërt. Për muaj të tërë, Trump e lavdëroi Manafortin për sfidën që i bënte Muellerit dhe jo negociimin e një marrëveshjeje fajësie.
Deri më tani, 4 ish-ndihmës të Trumpit kanë pranuar fajësinë mbi akuzat e ngritura nga prokurori special Mueller: Michael Cohen, ish-avokati personal i presidentit; Michael Flynn, ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare; Rick Gates, ish-zv.kryetar i fushatës; si dhe George Papadopoulos, ish-këshilltar fushate.