Manatia e Lezhës në flakë, zjarrfikësit në mbrojtje të banesave! Ndërhyrje nga ajri me helikopter
Një zjarr masiv ka prekur që prej mbrëmjes së djeshme zonën malore në Manati, pranë aksit të vjetër Lezhë – Milot. Situata një ditë më parë ishte kaotike teksa rreziku i kanosej dhe banesave të zonës.
Edhe situata është serioze pasi flakët vijojnë të mbeten aktive, raporton gazetari i Klan News Martin Marku. Era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve në terren, ndërsa forcat zjarrfikëse janë vendosur në pozicionet pranë banesave, për të parandaluar afrimin e zjarrit.
Që prej orës 08:00 ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri me helikopter, në përpjekje për të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit.
Për situatën, ka reaguar dhe kryebashkiaku Pjerin Ndreu, i cili u ka bërë apel qytetarëve që të mos ndezin zjarre pasi mungesa e reshjeve ka krijuar kushte për favorizimin e tyre. Ndreu thekson se dëmi që mund të vijë nga pakujdesia apo qëllimisht mund të përshkallëzojë në rrezik për banesat dhe jetën e njerëzve.
Ndezja e zjarrit në ferra, ara, mbeturina apo ambiente të hapura, qoftë me dashje apo nga pakujdesia, mund të vërë në rrezik banesa, prona dhe mbi të gjitha jetë njerëzish.
Ju bëjmë thirrje: MOS NDIZNI ZJARRE!
Në këto kushte, çdo papërgjegjshmëri mund të ketë pasoja shumë të rënda. Kur flakët përhapen me shpejtësi, ndërhyrja bëhet jashtëzakonisht e vështirë dhe mbrojtja e banesave një sfidë e madhe.
Kërkojmë bashkëpunimin dhe përgjegjshmërinë e çdo banori. Parandalimi është mbrojtja më e mirë! Një pakujdesi e vogël mund të shkaktojë një fatkeqësi të madhe. Të mbrojmë së bashku njerëzit, shtëpitë dhe territorin tonë!



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.