Ministrja e Integrimit Evropian të Kosovës, Dhurata Hoxha sot takoi ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Nikola Dimitrov.
Në një komunikatë me shkrim nga MIE thuhet se gjatë këtij takimi u vlerësua lartë bashkëpunimi në mes të dy shteteve fqinje dhe se në të njëjtën kohë u potencua nevoja e diplomacisë maqedonase në procesin e integrimit evropian të Kosovës.
“Kosova ende e ka të nevojshme mbështetjen e diplomacisë së Maqedonisë sa i përket rrugëtimit drejt familjes evropiane por edhe tek njohja e shtetësisë së Kosovës nga ato vende të cilat ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë”, ka thënë ministrja Hoxha.
Ndërsa ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Dimitrov ka konfirmuar bashkëpunimin e shtetit të tij me Kosovën edhe më tej.
“Maqedonia si shtet fqinj, do të jetë çdo herë përkrah Kosovës në politikën e jashtme por edhe për ta ndihmuar shtetit e juaj në rrugën drejt integrimit evropian”, ka deklaruar Dimitrov.
Kujtojmë se ministrja Hoxha sot në Shkup mori pjesë edhe në konferencën Rajonale vjetore, me temën: Ndërtimi i kapaciteteve dhe bashkëpunimi rajonal në procesin e integrimit evropian në Ballkanin Perëndimor”.