Marie Kraja sopranoja me zërin e kristaltë, themeluese e TKOB
Teatri Kombëtar i Operës e Baletit përkujtoi sot, në 115-vjetorin e lindjes, “Artisten e Popullit”, Marie Krajën, duke e cilësuar atë si, një prej zërave më të shquar të muzikës operistike shqiptare dhe një nga figurat themeluese të TKOB.
Marie Kraja lindi më 24 shtator të vitit 1911. Studimet e larta për kanto i kreu në Konservatorin e Graz-it, në Austri. Pas përfundimit të studimeve u kthye në Shqipëri, ku nisi një veprimtari të ngjeshur koncertore dhe pedagogjike, duke ia kushtuar të gjithë jetën artit muzikor shqiptar. Me interpretimet e saj, Marie Kraja promovoi muzikën shqiptare edhe në skena ndërkombëtare në Vjenë, Bari, Mynih, Firence e qytete të tjera evropiane.
Kraja u vlerësua për zërin e bukur lirik, plot temperament, me timbër të kulluar e të kristaltë. Ajo ishte ndër solistet e para të Teatrit të Operës dhe Baletit, duke interpretuar edhe në premierën e parë të institucionit. Krahas roleve operistike, repertori i saj përfshinte arie, romanca, pjesë koncertore dhe mbi 300 këngë popullore nga treva të ndryshme shqiptare. Me dashuri dhe përkushtim të veçantë, ajo ruajti, interpretoi dhe promovoi traditën e pasur të këngës qytetare shqiptare. Kontributi i saj u shtri edhe në fushën e pedagogjisë, ku përvoja dhe dijet e saj u përcollën te breza të tërë këngëtarësh të rinj. Për veprimtarinë e jashtëzakonshme artistike, Marie Kraja u nderua me titullin “Artiste e Popullit”, Urdhrin “Naim Frashëri” të Klasit të Parë, medaljen “Mjeshtre e Madhe e Punës” dhe Çmimin e Republikës të Klasit të Parë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.