Marrëveshja e detit, Rama-Tsipras takohen në prill
Ka nisur sot në Korçë takimi i dytë i bisedimeve mes Bushatit dhe Kotzias që synon t’i japë fund një mori me problematikash mes dy vendeve fqinje.
Ndërkohë mësohet se kryeministri Tsipras i ka kërkuar Kotzias që të kthehet nga Korça me një marrëveshje të dakortësuar gati për t’u firmosur në muajin prill në takimin që pritet të zhvillojë me kryeministrin Edi Rama.
Që prej orës 15:00 në qytetin e Korçës është duke u zhvilluar takimi dy palësh Shqipëri-Greqi i dyti pas atij në Kretë me qëllim zgjidhjen e problemeve sa të vjetra dhe të reja mes dy vendeve.
Shefat e diplomacisë shqiptare dhe asaj greke së bashku me delegacionet përkatëse për tre ditë do të ngujohen në një hotel në juglindje nga ku pritet të ketë tym të bardhë duke arritur një marrëveshje. Për hir të së vërtetës ka rrjedhur pak informacion se çfarë është duke u diskutuar.
Meqenëse takimi zhvillohet në Korçë, është rënë dakord që dita e parë e bisedimeve të nisë me çështjet shqiptare siç janë ato për pronat e kishës ortodokse dhe statusi i tyre aktual.
Gjatë ditës së nesërme në tryezën e bisedimeve do të jenë problematikat e listuara nga komuniteti grek që jeton në jug të vendit. Burime nga ky takim pohuan se po ashtu gjatë ditës së nesërme pala shqiptare do të kërkojë heqjen e pengesave për lëvizjen në kufi të çamëve drejt Greqisë.
Kryeministri grek Tsipras i ka kërkuar ministrit Kotzias produkt konkret nga ky takim madje ka shkuar më tej. Kryeministri grek ka kërkuar që deri në muajin Prill të mund realizohet firmosja e marrëveshjes për shelfin kontinental që njihet si kufiri detar mes dy shteteve.
Sinjalin e parë për ndryshim kursi nga pala greke janë një sërë deklaratash nga ministri i jashtëm grek Kotzias i cili është pozicionuar kundra ligjit të luftës me dy vendeve. Nuk ka mbetur pas në dërgimin e sinjaleve paqetuese edhe Shqipëria. Hapi i parë të treguarit konstruktiv ishte miratimi nga qeveria shqiptare i një vendimi që i hap dritën jeshile ndërtimit të dy varrezave për ushtarët e rënë grek në Këlcyrë të Përmetit dhe Dropullin e sipërm në Gjirokastër.