“Marshi për Liri” bashkoi shqiptarët në Prishtinë – reagime nga Kosova, rajoni e bota
Në Prishtinë është zhvilluar sot (shtunë) “Marshi për Liri”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, vetëm katër ditë para shpalljes së aktgjykimit përfundimtar në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në marsh morën pjesë përfaqësues të partive politike nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, veteranë të luftës së Kosovës, familjarë të të akuzuarve, si dhe familjarë të dëshmorëve të luftës.
Gjatë fjalimeve u kërkua drejtësi për ish-krerët e UÇK-së dhe kthimi i tyre në Kosovë.
Përfaqësuesi i Platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli, tha para të pranishmëve se pjesëmarrësit, në mënyrë simbolike, i shpallën të pafajshëm çlirimtarët.
Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse e mbështeti marshin përmes një deklarate, u përfaqësua në të nga disa deputetë. Kreu i kësaj partie, Albin Kurti, mungoi, pavarësisht se kishte marrë ftesë për pjesëmarrje.
Në marsh mungoi edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ndërkohë, i pranishëm ishte kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili vjen nga radhët e LDK-së.
Mbështetje marshit i dha edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili nuk ishte fizikisht i pranishëm në Prishtinë.
Duke e cilësuar situatën si një “farsë” në ditët e fundit të procesit, Rama tha se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të triumfojë përmes së vërtetës së tij.
“Farsa është në ditët e fundit dhe gjithçka pret njeriu nga autorët e saj, por siç e ka thënë vetë Hashimi, lirinë nuk ia merr dot askush, askund, e ashtu siç Kosova triumfoi duke besuar te liria edhe kur s’kishte askënd e asgjë përpos etjes së vet për liri, ashtu do të triumfojë edhe Hashim Thaçi me forcën e të vërtetës së tij, të cilën vitet e burgut veç e kanë bërë më të madhe bashkë me mbështetjen e krejt shqiptarisë”, shkroi Rama.
Për marshin në Prishtinë reagoi edhe i dërguari amerikan, Richard Grenell.
Në një postim në platformën X, Grenell tha se Hashim Thaçi ka gjashtë vjet që ndodhet në paraburgim, duke e lidhur arrestimin e tij me kohën kur ai po udhëtonte drejt Uashingtonit për t’u takuar me presidentin amerikan Donald Trump.
“Thaçi ka 6 vjet që ndodhet në burg! – që nga momenti kur Jack Smith arrestoi presidentin në detyrë të Kosovës, ndërsa ai po udhëtonte drejt Uashingtonit për t’u takuar me mua lidhur me negociatat përfundimtare me Presidentin Trump për marrëveshjen e Zyrës Ovale për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë. Të gjitha çështjet e Jack Smith-it në Amerikë kanë dështuar. Kjo çështje në Evropë është e fundit që ai ka në dorë”, shkroi Grenell.
Ai shtoi se edhe demokratë amerikanë kanë dëshmuar në Hagë në favor të Thaçit, duke deklaruar, sipas tij, se pretendimet e Jack Smith-it ishin të pavërteta.
“Pra, ekziston mbështetje dypartiake amerikane për Thaçin… dhe kundër Jack Smith-it. Tani gjithçka varet nga vendimi i Hagës më 16 shtator”, shkroi Grenell.
Vuçiq: Mora sinjale të ndryshme për aktgjykimin
Për marshin dhe procesin gjyqësor reagoi edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq, i cili rreth dy javë më parë kishte deklaruar se aktgjykimi ndaj Thaçit pritej të ishte kryesisht lirues, tha tani se gjatë vizitës së tij të fundit në Paris ka marrë “sinjale të ndryshme” nga disa liderë evropianë dhe botërorë.
Duke folur për procesin gjyqësor ndaj Thaçit, Vuçiq tha se nuk e di se cili do të jetë vendimi përfundimtar.
“Para 15 ditësh mora informacion se ai do të dënohej me një masë që mbulon kohën e paraburgimit, këtë e mora nga shërbimet tona inteligjente. Tani, kur isha në Paris dhe bisedoja me disa liderë evropianë e botërorë, mora disa sinjale të ndryshme. Pas katër ditësh do të shohim se kush ka të drejtë”, deklaroi Vuçiq.
Ai i përshkroi protestat e së shtunës në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Tiranë, Shkup dhe Prishtinë si një “rapsodi e nacionalizmit dhe urrejtjes ndaj serbëve”.
Procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së ka hyrë në fazën përfundimtare. Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë caktuar 16 shtatorin si datën për shpalljen e aktgjykimit, pas më shumë se tre vjetësh nga nisja e gjykimit./Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.