Para se të zemërohemi me pagat e gjyqtarëve

Debati që ka shpërthyer në Shqipëri për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve po paraqitet kryesisht si një konflikt midis interesit publik dhe kërkesave financiare të një kategorie që tashmë paguhet shumë më mirë se shumica e qytetarëve. Kryeministri Edi Rama ka folur për një rritje prej 51 për qind dhe për një faturë që, sipas tij, mund të arrijë rreth 130 milionë euro.
Për një qytetar që jeton me një pagë modeste ose me një pension të vogël, reagimi ndaj këtyre shifrave është i kuptueshëm. Pagat e gjyqtarëve janë të larta, ndërsa cilësia e drejtësisë vazhdon të jetë objekt i kritikave serioze. Megjithatë, ky debat nuk mund të kuptohet vetëm duke krahasuar pagën e një gjyqtari me atë të një mësuesi, infermieri apo pensionisti.
Konflikti i sotëm fillon me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 17 shkurtit 2026. Gjykata konstatoi se formula e miratuar në vitin 2023 për llogaritjen e pagave të magjistratëve kishte sjellë një “ulje të fshehur” të tyre dhe cenonte garancitë e nenit 138 të Kushtetutës. Ky nen parashikon se paga dhe përfitimet e tjera të gjyqtarit nuk mund të ulen, përveç disa rasteve të përcaktuara shprehimisht, si masat e përgjithshme ekonomiko-financiare të nevojshme për përballimin e një situate të vështirë financiare ose të një emergjence kombëtare, rikthimi i gjyqtarit në një detyrë të mëparshme apo zbatimi i një mase disiplinore.
Qëllimi i kësaj garancie nuk është t’u sigurojë gjyqtarëve paga të paprekshme si privilegj personal, por të mbrojë pavarësinë e gjyqësorit nga ndërhyrjet financiare të pushteteve të tjera. Pikërisht mbi këtë bazë, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se edhe një ulje që nuk shfaqet drejtpërdrejt në shumën nominale të pagës, por që e ngrin atë ndërkohë që pagat referuese dhe kostoja e jetesës rriten, mund të përbëjë një cenim të mbrojtjes që garanton neni 138.
Gjykata Kushtetuese nuk caktoi një pagë të re dhe as vendosi se gjyqtarët duhet të marrin çdo shumë që pretendojnë. Ajo i kërkoi Kuvendit të miratonte një formulë të re deri më 31 korrik 2026 dhe i la ligjvënësit disa alternativa për ta bërë këtë. Formula mund të lidhej me ndryshimin e pagës së funksionarit më të lartë të administratës publike, mund të ndiqte ndryshimin e pagës së Presidentit të Republikës ose Kuvendi mund të zgjidhte një mekanizëm tjetër të krahasueshëm. Kushti ishte që formula e re të respektonte garancinë kushtetuese të pagës së magjistratëve dhe të mos sillte përsëri atë që Gjykata kishte konsideruar një “ulje të fshehur” të saj. Pra, Gjykata nuk i imponoi Kuvendit një shifër; i kërkoi të zgjidhte me ligj një mekanizëm të ri dhe i dha një afat të qartë për ta bërë këtë.
Kuvendi nuk e përmbushi këtë detyrim brenda afatit. Ky është fakti kryesor nga i cili duhet të nisë diskutimi për situatën e sotme.
KLGJ argumenton se formula e mëparshme, pasi është konsideruar në kundërshtim me Kushtetutën, nuk mund të vazhdojë të zbatohet pas kalimit të afatit. Qeveria kundërshton duke thënë se KLGJ nuk mund të përcaktojë vetë pagat, sepse një vendim i tillë kërkon bazë ligjore dhe miratim nga Kuvendi.
Ky argument i qeverisë ka bazë juridike. Por ai nuk e heq përgjegjësinë e institucioneve që kishin detyrimin të miratonin formulën e re brenda 31 korrikut. Pikërisht mosveprimi i tyre krijoi situatën juridike që sot ka sjellë përplasjen mes gjyqësorit dhe ekzekutivit.
Edhe pagesat e prapambetura nuk janë një pretendim që u shfaq papritur në gusht. Në paragrafin 110 të vendimit, Gjykata Kushtetuese përcakton se efektet financiare duhet të llogariten nga 1 prilli 2023 dhe parashikon gjithashtu mënyrën e llogaritjes në rast se Kuvendi nuk miratonte ndryshimet brenda afatit.
Për këtë arsye, debati për nivelin e pagave duhet të ndahet nga detyrimi për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Pakënaqësia e qytetarëve ndaj gjyqësorit është reale dhe ka arsye të forta pas saj. Reforma në drejtësi krijoi një kategori gjyqtarësh dhe prokurorësh me paga dhe garanci shumë më të larta se pjesa dërrmuese e administratës dhe shoqërisë, duke krijuar perceptimin e një shtrese të privilegjuar që nuk ka dhënë në këmbim drejtësinë më të shpejtë, më cilësore dhe më të besueshme që iu premtua publikut. Reforma ndërtoi thjesht një mekanizëm ndëshkimi, por nuk arriti të ndërtojë një sistem funksional drejtësie. Vetingu, largimet masive, vakancat dhe dobësimi i shumë hallkave të sistemit sollën pasoja që vazhdojnë edhe sot.
Përgjegjësia për këtë gjendje nuk mund t’u lihet gjyqtarëve dhe prokurorëve. Krijuesit politikë të reformës janë pikërisht ata që prej vitesh mburren në mbledhje dhe në ekrane me sistemin që ndërtuan, me pagat, garancitë dhe kompetencat që vetë u dhanë institucioneve të reja. Tani, kur disa prej pasojave të atij sistemi bien mbi vetë qeverinë dhe buxhetin, të njëjtët njerëz fillojnë të sulmojnë institucionet që reforma e tyre krijoi.
Pakënaqësia e qytetarëve ndaj privilegjeve të magjistratëve është e kuptueshme dhe debati për pagat e tyre është plotësisht legjitim, por ky vlerësim për reformën dhe për cilësinë e drejtësisë nuk e ndryshon detyrimin e institucioneve shtetërore për të respektuar dhe zbatuar një vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Asgje nuk e ndryshon detyrimin e shtetit për të zbatuar vendimet kushtetuese. Edhe nëse KLGJ ka tejkaluar kompetencat e veta, kjo duhet të përcaktohet përmes procedurave juridike dhe jo përmes një fushate publike të përqendruar te pagat individuale të gjyqtarëve.
Mbrojtja kushtetuese e pagës së magjistratëve nuk ka për qëllim t’u sigurojë atyre privilegje të pakufizuara. Ajo lidhet me pavarësinë e gjyqësorit dhe me nevojën që pushteti politik të mos ketë mundësi të ushtrojë presion financiar mbi një pushtet që duhet të kontrollojë ligjshmërinë e veprimeve të tij.
Qeveria ka të drejtë të kundërshtojë çdo interpretim që e konsideron të paligjshëm dhe Kuvendi ka të drejtë të përcaktojë me ligj formulën e pagave. Por përpara se debati të reduktohet te shifrat e pagave dhe te kostoja prej 130 milionë eurosh, duhet të pranohet një fakt themelor: Gjykata Kushtetuese kërkoi që çështja të zgjidhej deri më 31 korrik 2026 dhe kjo nuk ndodhi.
Përgjegjësia për ngërçin e sotëm fillon pikërisht aty.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.