Mazhoranca rrezikon rrjedhje votash, pas Dules, reagojnë Cara, Frroku dhe Tavo
5 variante – Qeveria paraqiti pranë komisionit të posaçëm parlamentar një hartë territoriale me 5 variante me 30-63 bashki në shkallë vendi
2 variante – Pas disa konsultimesh në komisionin parlamentar u vendos që në terren të diskutohej mbi hartat me 39 dhe 47 njësi vendore
63 bashki – PBDNJ nëpërmjet Dules u shpreh se kërkonte një hartë territoriale sipas variantit 5, i cili parashikon 63 bashki në shkallë vendi
31 korrik – Kuvendi parashikon që ta miratojë hartën e re administrative në seancën e fundit për këtë sesion, më datën 31 korrik
Përllogariten gjashtë deputetë që mund të votojnë kundër ndarjes
NGA ARTEMISA HOXHA
Deputetë të PS-së, si dhe aleatë të socialistëve dalin kundër hartës së miratuar dje nga qeveria dhe komisioni i posaçëm parlamentar. Harta me 61 bashki ka sjellë përçarjen e parë mes mazhorancës, deputetë të PS, LSI dhe aleatë të tjerë kanë dalë edhe kundër miratimit të saj duke kërcënuar me votën në Parlament. Janë gjashtë deputetë të mazhorancës që kanë kërcënuar me votën kundër të tyre, në rast se nuk do të merren parasysh propozimet e zonave të tyre nga janë zgjedhur deputetë. Votës kundër të Vangjel Dules, si dhe Parid Carës, Pjerin Ndreut e Vangjel Tavos iu shtua dhe ajo e kreut të Partisë Kristiandemokrate të Shqipërisë, Mark Frroku, me të cilin bëhen gjashtë deputetë të mazhorancës që vënë në rrezik në këtë mënyrë miratimin e reformës në seancën e 31 korrikut, miratim që kërkon 84 vota. Aktualisht, 85 deputetët e koalicionit të majtë qeveritar, plotësojnë numrin për miratimin e reformës edhe pa konsensusin e opozitës, por nëse gjashtë deputetët e këtij koalicioni, Vangjel Dule i PBDNJ-së, Vangjel Tavo i LSI-së apo dhe Parid Cara, Pjerin Ndreu dhe Andrea Marto të PS-së si dhe Mark Frroku do mbajnë qëndrimin e tyre kundër kësaj reforme, atëherë miratimi i kësaj reforme do të kërkonte domosdoshmërinë e votave të PDIU-së. Ndonëse mazhoranca ka edhe konsensusin e pesë deputetëve të kësaj force politike në Parlament, sërish ekziston rreziku i thellimit të votave kundër reformës, duke marrë parasysh që sot projektligji i qeverisë do të fillojë shqyrtimin në Kuvend. Gjithsesi, nëse do të ishte vetëm gjashtë numri i votave kundër, mazhoranca me votat e çamëve do të mund të miratojë reformën më 31 korrik.
Deputetët kundër
Teksa pritet që të dorëzojë në komisionin parlamentar propozimet e partisë së tij në lidhje me këtë reformë, Mark Frroku argumenton votën kundër duke thënë se kërkesa për konsultim nga ana e komisionit nuk u është parashtruar përfaqësuesve të tij. “Vota ime do të jetë kundër kësaj pakete ligjore “Partia Kristiandemokrate e Shqipërisë, me gjithë dëshirën e saj, nuk është bërë pjesë e procesit të konsultimit dhe përfshirjes për hartimin e draftit në Komisionin e Posaçëm Parlamentar, ndonëse një kërkesë e tillë u është parashtruar drejtuesve të tij. Po ashtu, kjo reformë nuk arriti për të qenë gjithëpërfshirëse”, thotë Frroku në reagimin e tij. Ndërsa socialisti Cara shprehet se “nëse Kryevidhi nuk do të jetë nën varësi të Kavajës, atëherë do të votojë kundër”. Në një reagim në rrjetin social Facebook, deputeti Cara bëri të ditur votën e tij kundër në Parlament për reformën, pasi gjatë 24 viteve të fundit, Kavajën e kanë copëtuar. “Nëse vendoset për versionin ku zona e Kryevidhit nuk do të jetë në administrimin e Kavajës siç ka qenë dekada me radhë, atëherë në cilësinë e deputetit të zonës do të ndërmarrë hapa konkretë për ndryshimin e kësaj situate. Gjatë 24 viteve të fundit, Kavajën e kanë copëtuar në forma të ndryshme, por tani nuk duhet të jetë më kjo kohë. Nëse do propozohet ky variant final, vota ime do të jetë kundër reformës territoriale”, shkruan Cara në Facebook. Po nëpërmjet rrjetit socialFacebook, ka shprehur qëndrimin e tij edhe deputeti tjetër i PS–së, Pjerin Ndreu, i cili thekson se kjo hartë është e dëmshme për interesat e komunitetit. “Mbështes deputetin e Kavajës, Parid Cara, në të drejtën e tij për të ndalur ndarjen territoriale në dhurata e qoka të dëmshme për interesat e komunitetit. Asnjë nuk ka marrë mendim as për zonën time elektorale deri tani meqë ra fjala..!”,thuhet në reagimin e deputetit Pjerin Ndreu. Ndërsa deputeti i Qarkut të Vlorës, Koço Kokëdhima, e mbështet ndarjen e re. Ai akuzon grupe të caktuara partish apo personash se duan që të përfitojnë nga ndarja e re, konkretisht në njësinë e Himarës, në të cilën sipas tij nuk jetojnë minoritarë grekë. Në një analizë të tij në rrjetin social Facebook, ai shkruan se tensioni i deklaratave nga grupe të caktuara nuk është fare surprizë, pasi interesa të caktuara u përpoqën të kushtëzojnë kufizimin e territorit të Himarës. “Ata kërkojnë një bashki të madhe të minoritetit grek në zonën e Vurgut dhe një bashki të vogël për himarjotët. Zgjerimi i saj drejt Lukovës e Vranishtit është në përputhje të plotë me parimet e reformës territoriale, por edhe me historinë dhe kulturën e kësaj treve”, thotë Kokëdhima.