Mbledhja e grupit parlamentar të PS-së, gazetarja jep detaje nga takimi
Kryeministri Edi Rama ka mbërritur mëngjesin e kësaj të hëne në Kryesinë e Kuvendit, ku po zhvillon mbledhjen e përjavshme me grupin parlamentar të Partisë Socialiste.
Sipas raportimeve nga gazetarja e Euronews Albania, Eksiola Shehu, takimi, i cili zhvillohet me dyer të mbyllura, ka në fokus jo vetëm caktimin e axhendës parlamentare për seancën e ardhshme plenare, por edhe nismat më të fundit ligjore të paralajmëruara nga kreu i qeverisë lidhur me protestat.
Sipas gazetares, pritet që gjatë këtij takimi kryeministri t’u prezantojë deputetëve ndryshimet e propozuara ligjore dhe të shihet nëse do të mblidhet numri i nevojshëm i firmave që kjo nismë të kalojë në Kuvend.
“Kryeministri Edi Rama sapo ka mbërritur në Kryesinë e Kuvendit. Kjo mbledhje mbahet çdo fillim jave për të diskutuar rendin e ditës së seancave plenare dhe nismat e tjera të grupit parlamentar të PS.
Kjo mbledhje vjen në një ditë kur kryeministri Rama prezantoi edhe masat për të gjithë ata që marrin pjesë në protesta ku ushtrohet dhunë. Nisur nga ato që Rama deklaroi ditën e martë, pritet të ketë ndërhyrje ligjore, mes nismave të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë.
Pritet që Rama t’ua prezantojë sot edhe deputetëve dhe më pas do të shihet nëse do të mblidhen firmat nga deputetët e PS-së për të kaluar ndryshimet ligjore, të cilat do të duhet të qëndrojnë në Kuvend për dy javë. Pas dy javësh, do të nisë shqyrtimi në komisionet parlamentare dhe më pas në seancë plenare.
Qeveria do të duhet të miratojë një akt normativ sa i takon dëmshpërblimit të bizneseve, i cili shkon në masën 100% për biznesin e vogël dhe 70% për biznesin e madh.
Më pas, pasi të kalojë në qeveri, akti do të kalojë në Kuvend. Për sa i përket ligjit për tubimet, të cilin Rama e paralajmëroi sa i takon Kodit Penal, pritet që nismat të depozitohen në Kuvend nga deputetët. Nuk dihet nëse firmat do të mblidhen gjatë ditës së sotme. Mbledhja do të mbahet me dyer të mbyllura.
Në rendin e ditës janë të gjitha masat që Rama prezantoi. Ditën e enjte, të cilat zyrtarisht do të duhet të depozitohen në Kuvend përmes firmave të deputetëve të PS-së”, u shpreh gazetarja Shehu.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.