Mbyllet Kuvendi, Meta: Keqardhje për bojkotin e PD
Kuvendi mbylli punimet për këtë mandat katërvjeçar pa praninë e opozitës. Pas votimit të ligjeve të fundit, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta tha se reforma në drejtësi ishte një nga punët më të mira që ka realizuar ky Parlament dhe shprehu keqardhjen për mungesën e deputetëve të djathtë.
“Besoj se kush më shumë e kush më pak, sipas mundësive apo dhe axhendave politike, u përpoqëm t’i japim qytetarëve një paketë të rëndësishme legjislative, që do t’i shërbejë hapjes së negociatave për anëtarësimin e vendit në BE. Jam i keqardhur të shoh në këtë seancë mungesën e kolegëve të opozitës, por kur ka vullnet ka mundësi për të rikthyer normalitetin dhe dialogun politik për çështjet që duhet të përballojmë së bashku. Megjithatë, kjo panoramë e padëshirueshme nuk mund të zbehë punën voluminoze që kemi bërë gjatë këtyre 4 viteve”, tha Meta.